Deputetja e PD, Dhurata Çupi ka reaguar në lidhje me rrëzimin propozimit të opozitës për të pasur 92 Bashki dhe 6 rajone.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Çupi shkruan se ky vendim për të mos ndryshuar hartën territoriale është një tallje me qytetarët, pasi sipas kësaj të fundit qytetarët e duan këtë ndryshim.
Sakaq shton se përgjigja e qytetarëve do të jetë referendumi, pasi askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e tyre.
“Vendimi i PS, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim të hartës. Është tallje me partnerët që u angazhuan në proces. Është tallje me parlamentin. Është shpërdorim i taksave të qytetarëve, për një proces të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës.
Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bëre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgjedhor. Edi Rama ka frikë nga vota.
Përgjigja e qytetarëve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve”, shkruan ajo.