Ditën e sotme është miratuar marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
Zëvendës ministrja e Brendshme Romina Kuko tha se është hera e parë që lidhet një marrëveshje e posaçme ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe.
E pyetur nga deputeti Enkelejd Alibeaj, Kuko tha se “kjo i hap rrugë bashkëpunimit të mëtejshëm”.
Ndërkohë që, Alibeaj theksoi se kjo marrëveshje duhet të ishte kërkuar nga qeveria shqiptare.
“Kush kryen krime, pas disa kohësh fillon e ndihet se është në Dubai. Ky fenomen ka filluar prej shumë kohësh. Duhet të kishte një kërkesë nga qeveria shqiptare drejt Emirateve të Bashkuara, por marrëveshja është kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, u shpreh Alibeaj.
Në përfundim, marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit, u miratua.