Qeveria hungareze e krahut të djathtë ka lëshuar një dekret përmes së cilit kërkohet që mjekët t’ua tregojnë grave që duan të kryejnë abort, shenjat vitale të fetusit. Ky obligim paraqet ashpërsim të rregullave relativisht liberale të abortit në Hungari.
Dekreti thotë se personeli shëndetësor duhet t’iu ofrojë grave shtatzëna “një tregues të qartë e të identifikueshëm të shenjave vitale të fetusit” përpara se të vazhdojnë me çdo procedurë të abortit. Ky rregull hyn në fuqi më 15 shtator.
Ministria e Brendshme e Hungarisë tha se “gati dy e tretave e hungarezëve e lidhin fillimin e jetës së një fëmije me rrahjet e para të zemrës” dhe se pajisjet moderne mund të detektojnë rrahjet e zemrës së fetusit në fillim të shtatzënisë, gjë që mund t’u “japë informacion më të plotë grave shtatzëna”.
Ligjet e abortit në Hungari janë relativisht liberale dhe kanë mbetur pothuajse të pandryshuara qëkur aborti u lejua më 1953.
Qeveria nacionaliste hungareze, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban, e portretizon veten si kampione të vlerave të familjes tradicionale dhe ka ofruar shkurtime tatimore dhe subvencione për familjet që kanë shumë fëmijë, në përpjekje për të rritur nivelin e natalitetit.
Qeveria po ashtu ka futur në Kushtetutën e vitit 2011 pjesën që “jeta e fetusit duhet të mbrohet nga ngjizja”, por sërish ka tentuar që të ashpërsojë rregullat e abortit.
Ligjvënësja hungareze nga një parti e krahut të djathtë, Dora Duro, shkroi në Facebook se partia e saj, “Atdheu Ynë” ka paraqitur këtë kërkesë të re, duke shtuar se Qeveria ka miratuar këtë kërkesë për t’i detyruar shtatzënat që të dëgjojnë të rrahurat e zemrës së fetusit para se të kryejnë abort.
“Ky është vendimi i parë pro-jetës qëkur është miratuar aborti më 1956, duke thyer tabunë prej dekadash”, shkroi ajo./REL