Ish-shefi i policisë Dritan Zagani, ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj. Zagani tha se nga burimet e tij, Ervis Martinaj prej dy muajsh ka dërguar njerëz në Itali për të kontaktuar me një nga kirurgët më të mirë plastikë.
Sipas tij policia duhet të hetojë edhe pistën e ndërhyrjes plastike të Martinajt.
“Pak muaj para se të zhdukej ky person nëpërmjet lidhjeve të tij ka kërkuar të takoj një nga kirurgët plastik më të mirët në Itali. Ka dërguar njerëz që ta sjellin në Shqipëri dhe ky kirurgu është shqiptar. Hetuesit a e kanë shqyrtuar ndonjëherë këtë mundësi? Thuajse dy muaj para se të zhdukej Ervis Martinaj ka ndodhur kjo gjë”, u shpreh Zagani.
Kujtojmë që Ervis Martinaj u denoncua në polici si i zhdukur nga xhaxhi i tij, i cili tha para uniformave blu se familja kishte humbur çdo kontakt me nipin.
Ndërkohë që vetë babai i Martinajt tha pak ditë më parë në media se ka pak shpresa që djali i tij të jetë gjallë. Nga ana tjetër policia po heton në dy pista, ku e para është ajo e inskenimit të zhdukjes ndërsa pista e dytë është ajo e eliminimit fizik nga kundërshtarët e tij.