Largimi i shqiptarëve, Berisha: Braktisja e vendit, më e dhimbshme se ajo e vitit 1991

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se Shqipëria po kalon një periudhë të vërtetë krize.

Gjatë fjalës së tij, në një takim me banorët e Shijakut, Berisha është shprehur se braktisja e Shqipërisë është më e dhimbshme se ajo që ndodhi në vitin 1991. Më tej ai ka shtuar se në vitin 1991, shqiptarët fituan lirinë, por ishin nën tiraninë e tmerrshme të mjerimit.

 “Sot Shijaku dhe mbarë Shqipëria, përjetojnë një periudhë krize të vërtetë, të thellë, e cila shprehet me një braktisje të pashembullt të vendit, Shijakut dhe Shqipërisë nga qytetarët e vendit. Kjo braktisje në të vërtetë është shumë më e dhimbshme, e hidhur, se sa ajo që ndodhi në vitin 1991. Është shumë më e dhimbshme dhe e hidhur, sepse në vitin 1991, ne jemi dëshmitarë, ne vërtetë fituam lirinë, por ishim nën tiraninë e tmerrshme të mjerimit.

Qytetarët shqiptarë në vitin 1991, ishin qytetarët e tretë më të varfër të planetit. Vinin pas qytetarëve të Ugandës dhe Angolës. Kështu që ai largim masiv nga Shqipëria i vitit 1991, lidhet me dhimbjet e mëdha që krijonte tirania e mjerimit, pavarësisht se liria u fitua, nga diktatura dolëm, por ajo që vazhdoi ishte mjerimi i thellë në të cilën na kishte zhytur diktatura. Sot jo, sot është një regjim. Për 30 vite Shijaku ndryshoi shumë, Shqipëria ndryshoi shumë. Nga viti 2007-2014, banorët e Shijakut, Shqipërisë, u rritën nga viti në vit dhe kjo është statistikë e vërtetë. Nga viti 2014 deri në vitin 2021, nga Shijaku, Durrësi, Tirana dhe mbarë Shqipëria u larguan 26% e popullatës, më shumë se 744 mijë qytetarë, veç në BE, pa llogaritur këtu ata që ikën në Kanada, SHBA apo vende jashtë hapësirës Evropiane”, tha Berisha.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *