Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka bërë një deklaratë të pazakontë, teksa ka zbuluar se ka komunikuar me kryeministrin Edi Rama për zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Meta deklaroi se ka qenë kundër djegies së mandateve dhe se ishte i bindur se kjo gjë i shërbente Ramës.
“Kam qenë i prerë dhe i saktë kundër djegies së mandateve. Kam pasur bindjen që djegia e mandateve i shërbente Edi Ramës. Për dekretin e zgjedhjeve lokale, kam thirrur Edi Ramën, i thashë nuk mund të bëjmë zgjedhje pa opozitën”, deklaroi Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë tha se ish-kryedemokrati Lulzim Basha ishte pjesë e komplotit ndaj opozitës për ta shtyrë atë drejt djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale.
Meta u shpreh se shpalli 13 tetorin datë zgjedhjesh me kërkesë të Lulzim Bashës dhe ky i fundit nuk u regjistrua për të marrë pjesë.
“Ishte një komplot. Atë javë unë isha në Itali dhe në Berlin në konferencë. Ata e kishin studiuar çdo gjë. Ata e dinë shumë mirë porosinë që dhashë unë. Kanë bërë një gabim historik që unë nuk ia fal.
Sot sikur larg qoftë të vdesë një deputet duhet një muaj që të bëhen procedurat. Ishte komplot. Kam ndërhyrë, kam bërë çdo gjë. 13 tetorin e shpalla unë datë zgjedhjesh. E caktoi Lulzim Basha. Sepse Edi Rama nuk donte datë. Si shpjegohet që unë shpall dekretin dhe marr edhe një kosto të madhe.
Dhe ai nuk e regjistron partinë as për 13 tetorin. Unë i them regjistrohu formalisht ai le të mos i bëjë zgjedhjet. Ai ishte i kapur. Shmanga një konflikt të madh sepse ata donin përplasje. Njerëzit nuk u përplasën me njëri tjetrin. Unë doja të mbroja popullin”, deklaroi Meta.