Në seancën e djeshme plenare, Parlamenti i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Europian për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare. Me anë të një statusi në rrjete sociale, BE thekson se mbi 600 milionë euro do të vijnë në mbështetje të reformave në vendin tonë.
“Parlamenti shqiptar ratifikoi marrëveshjen e #BE për shtatë vitet e ardhshme të ndihmës financiare të BE-së, e cila do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit me deri në +600 milionë euro”, thuhej në njoftimin e BE.
Ndihma financiare do të mbështesë reformat e Shqipërisë në lidhje me procesin e zgjerimit deri në 600 milionë euro për shtatë vitet e ardhshme.
Marrëveshja e BE-së (Marrëveshja Kornizë Financiare e Partneritetit), do t’i lejojë Shqipërisë të marrë fonde nga Instrumenti i Asistencës së Para-anëtarësimit të BE-së (IPAIII).
Kjo asistencë e para-anëtarësimit mbështet vendet kandidate për në BE dhe kandidatët e mundshëm në miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për të qenë në përputhje me vlerat e BE-së dhe për t’u përafruar në mënyrë progresive me rregullat, standardet dhe politikat e BE-së.
Financimi i ri, i cili nuk do të ketë nevojë të shlyhet, do të drejtohet në një sërë sektorësh si reforma në drejtësi, mjedisi, energjia, zhvillimi i sektorit privat, bujqësia, punësimi dhe përfshirja sociale, qeverisja e mirë dhe decentralizimi dhe qeverisja vendore dhe civile.