Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot me Ambasadoren e re të BE në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Kryetarja Nikolla i shprehu Ambasadores Hohmann urimet më të mira për një mision të suksesshëm në Shqipëri, në stadin e rëndësishëm të çeljes dhe vijimit të negociatave.
Nikolla bëri gjithashtu një përshkrim të shkurtër të objektivave, detyrave dhe masave që po përcakton Kuvendi për vijimin me sukses të negociatave, për të garantuar karakterin gjithëpërfshirës dhe legjitimitetin demokratik të të procesit.
Ambasadorja Hohmann vuri në dukje se Misioni i BE në Tiranë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me Kuvendin e Shqipërisë për mbështetjen e avancimit të reformave integruese dhe demokratizuese, për zhvillimin e vendit, konsolidimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Kryetarja Nikolla dhe Ambasadorja Hohmann diskutuan edhe për disa aspekte të ecurisë së reformës në drejtësi, reformës administrativo-territorale, reformës zgjedhore, transparencës së procesit zgjedhor dhe të financimit të partive politike etj.