Ambasadorja e SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim zhvilloi një takim sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj për të diskutuar disa çështje.
Kim në një postim në rrjetet sociale shkruan se është e rëndësishme bashkëpunimi mes partive politike për të çuar para reformat e ndërmarra.
Ambasadorja amerikane ka theksuar gjithashtu se është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi të kaluar nga parlamenti në vitin 2016.
Postimi i Kim:
Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri.
Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate.