Në Shqipëri Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli sot të pafajshme anëtaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja, e vënë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme.
Anëtarja e KPK akuzohej për “Deklarim të rremë e fshehje pasurie” si dhe “Falsifikim të dokumentave”. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ajo kishte kryer veprime fiktive në deklarimin e vlerës së një prone, fillimisht duke e deklaruar atë me një vlerë më të ulët pranë Hipotekës dhe me një vlerë disa herë më të lartë, kur kishte aplikuar për marrjen e një kredie.
Prokuroria kishte kërkuar dënimin e saj me burgim, të konvertuar në shërbim prove për dy vjet.
Por sipas Gjykatës, nuk kishte elementë të veprës penale në pretendimet e akuzës ndaj anëtares së Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, një prej organeve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve,.
Mbetet për t’u parë nëse Prokuroria e Posaçme, do të bëjë ose jo ankimim ndaj vendimit të sotëm. Vetë zonja Çiftja deklaroi se ajo asnjëherë nuk kishte vepruar në shkelje të ligjit dhe se denoncimi ndaj saj kishte patur si qëllim goditjen e reformës në Drejtësi, u shpreh ajo. /VOA