Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit në qeverinë e Shqipërisë, Elisa Spiropali thotë se Shqipëria po bashkërendon me Shtetet e Bashkuara përpjekjet për mbrojtjen e infrastrukturës jetike nga aktivitete të mundshme armiqësore si goditjet kibernetike nga Irani me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n. Zonja Spiropali, e cila ndodhet në SHBA si koordinatore e qeverisë së Shqipërisë për samitin e demokracive, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se një vendim i fundit i Këshillit të Ministrave për ndërtimet pa leje, që ka ngjallur debate, synon frenimin e tyre.
Zonja Spiropali, fillimisht dua t’iu pyes në çfarë kuadri ishin bisedimet dhe pjesëmarrja juaj në këtë veprimtari në SHBA?
Elisa Spiropali: Shqipëria është një nga shtetet e ftuara për Samitin e Demokracisë nga Presidenti Biden. Në Samitin e organizuar në vitin 2021 online ishte i pranishëm kryeministri i vendit, i cili u angazhua, ashtu si edhe 100 krerët e vendeve demokratike, të cilët janë pjesë e këtij Samiti, për reforma të rëndësishme dhe vijimin e reformave për konsolidimin e shtetit ligjor dhe thellimin e bashkëpunimit me ShBA-të. Unë jam këtu në cilësinë e koordinatores së qeverisë shqiptare për Samitin për Demokraci, i cili plenaren e dytë të tij do ta ketë në pranverën e vitit tjetër. Ishim sot për një takim koordinues në
Departament të Shtetit dhe dje në një takim me nënsekretaren për mbrojtjen civile, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, që është dhe koordinatorja kryesore në Departament të Shtetit për Samitin për Demokracinë.
Shqipëria u gjend nën sulme kibernetike në këto dy javët e fundit dhe qeveria e Shqipërisë reagoi me forcë duke ndërprerë marrëdhëniet me Iranin pikërisht për këtë arsye. Nga ana tjetër, a dëshmoi ky sulm edhe faktin që sistemet nuk nuk kishin masat e duhura për t’u mbrojtur?
Elisa Spiropali: Dëshmoi të kundërtën, që një sulm masiv kibernetik, i iniciuar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, ashtu siç rezultoi nga të gjithë investigimet dhe verifikimet e grupit të ekspertëve, ishte një sulm, që synonte mbi të gjitha, dëmtimin e shërbimeve qeveritare online dhe marrjen e të gjithë të dhënave. Nuk ia mbërritn në synimin e tyre, sepse sulmi u kontrollua dhe më pas u shty përmes një sistemi të sofistikuar mbrojtës, që ne kemi ngritur së bashku me partnerët tanë dhe patëm edhe ndihmën e Jones Group International, Microsoft dhe partnerëve tanë, SHBA kryesisht. Qëllimi final nuk u mbërrit, por kjo nuk do të thotë që synimi i tyre nuk ishte shkatërrimi i të gjithë infrastrukurës tonë digjitale, që do të sillte një sakatim të rëndë të gjithë marrëdhënies midis qytetarëve dhe qeverisë, e pse jo edhe destabilizim; ai ishte synimi. Në këtë kuadër ne kemi zhvilluar disa takime këtu, në Kongres, në Senat dhe në Departament të Shtetit, sepse ndjeshmëria ishte shumë e lartë. Pati një reagim të menjëhershëm të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit të Shtetit, të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, sepse ky nuk është sulm vetëm ndaj Shqipërisë dhe shërbimeve të saj, por është një sulm ndaj një aleati të NATO-s. Pata rastin të takoja në Senat senatorin Gary Peters, i cili është edhe kryetari i komisionit të sigurisë së brendshme, që merret me cyber security, dhe është po ashtu bashkëkryetar i Grupit të miqësisë së Shqipërisë. Po ashtu pata në Kongres takime me anëtarë të tij si Ritchie Torres apo Jim Himes, të cilët kishin sensibilitet të lartë dhe angazhim për çështjen e Shqipërisë dhe ata dhanë angazhimin e tyre që si në
Kongres ashtu edhe në administratën amerikane do të ndihmojnë në thellimin e bashkëpunimit për mbrojtjen e Shqipërisë nga sulmet kibernetike dhe të aleatëve të tjerë.
Ekipi i Microsoftit zbuloi se hakerat kishin hyrë që në maj të vitit 2021 dhe se sistemet tuaja mbrojtëse nuk kishin vënë re një gjë të tillë. Si e shpjegoi ju këtë?
Elisa Spiropali: Nuk mund të hyj në detaje teknike, sepse ato janë tashmë në një raport të plotë dhe shterrues mbi nevojën që Shqipëria ka për të lëvizur në një nivel të ri mbrojtjeje nga sulmet kibernetike dhe për këtë ne kërkojmë ndihmën e aleatit tonë. Ne kemi bërë tonën: kemi ndërprerë marrdhëniet diplomatike me Iranin, për arsye se sulmi ishte kaq masiv, agresiv dhe kriminal, i cili meritonte një përgjigje diplomatike. Por më vonë kemi nevojë për update-imin e kësaj infrastrukture, për një strategji të plotë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë, si për kostot që do të duhen ashtu edhe për ekspertizën, që duhet të angazhihet për ngritjen e këtyre sistemeve. Ne jemi krenarë që një nga angazhimet që një nga angazhimet, që e kemi diskutuar edhe në Samitin për Demokraci, e në fakt edhe aty përmendet si një risi, është fakti që Shqipëria ka investuar në shërbimet digjitale si një mënyrë për të luftuar korrupsionin, për një qeverisje më të hapur ndaj njerëzve dhe më të barabartë përmes shërbimeve të këtij lloji. Por në një botë, ku vende të boshtit të së keqes, vende që synojnë të ulin në gjunjë demokracitë e kësaj bote, e sidomos demokracitë që janë në zhvillim e në konsolidim, ne nuk mund ta lëmë sigurinë tonë vetëm në kuadrin e investimeve tona kombëtare, por patjetër duhet të angazhojmë edhe burime të reja nga aleatët tanë.
Në Shqipëri ka patur një debat të gjatë lidhur me një vendim të qeverisë sa u takon ndërtimeve pa leje, për konfiskimin e tyre, ofrimin e mundësive ndërtuesve për të riblerë sipërfaqet pa leje me çmimin e tregut. Së pari, si ka mundësi që këto ndërtime janë lejuar të kryhen në vende shumë të dukshme të Tiranës, në zona të populluara dhe si ka mundësi që policia, policia bashkiake, inspektoriatet për mbrojtjen e territorit dhe të mjedisit, pra e gjithë makineria shtetërore nuk ka vepruar për t’i parandaluar ato?
Elisa Spiropali: Ne kemi një problem serioz të trashëguar sa u takon ndërtimeve pa leje në territorin e Republikës së Shqipërisë, çka ka sjellë ndërtimin e një agjencie të tërë, që në kushte nromale nuk do të ishte e nevojshme, Agjencia e Legalizimeve tani e bashkuar me Kadastrën, e cila edhe ajo ka nisur një proces digjitalizimi për çështje të pronësisë. Kemi një ulje drastike të numrit të ndërtimeve pa leje, për shkak të kontrollit dhe vëmendjes, që ne i kemi dhënë. Mund të kemi edhe raste abuzimi, të cilat duhen shqyrtuar dhe hetuar deri në fund.
Isha më shumë e interesuar për përgjigjen e qeverisë dhe duhet të kemi parasysh se shumica që është tani në pushtet ka pothuaj dhjetë vite në qeverisje. Nuk besoj që të gjitha ndërtimet (pa leje) janë bërë në atë kohë.
Elisa Spiropali: Nuk është vetëm çështje vitesh. Nuk po them që është vetëm çështje e qeverisë së mëparshme. Ky është një problem në vijimësi; me ndërtimet pa leje dhe me zhvillimin e territorit. Ne e kemi patur përparësi mbrojtjen e territorit dhe po të krahasosh shifrat e ndërtimeve pa leje si në Tiranë ashtu edhe në qytetet e tjera të mëdha, sespe aty ndodhin për shkak të pagesave të larta dhe vlerës së shtuar të pronës, shikoni që kemi një rënie drastike. Ama ka edhe raste të tilla, të cilat ne duhet t’i adresojmë përmes një legjislacioni, që të frenojë, minimizojë, e pse jo, të zerojë mundësitë apo fitimet që vijnë ngë ndërtime pa leje. Ky legjislacion, kjo VKM dhe të tjera që mund të nxjerrim në vijim bëjnë pikërisht këtë: i detyrojnë ata që kanë ndërtuar pa leje, që mos të vazhdojnë më të ndërtojnë e të fitojnë në këtë mënyrë, siç kanë bërë para shumë vitesh dhe si janë mësuar të bëjnë, por në këtë kuadër të ri ligjor të mos kenë asnjë interes për të ndërtuar pa leje. Ne nuk jemi as prokurori as polici. Ata kanë të gjithë hapësirat që të bëjnë gjithë hetimet e tyre për mënyrën se si janë ndërtuar objektet pa leje.
Kjo që thatë nuk shpjegon faktin pse tani dhe këto ndërtime kanë marrë disa vjet në disa vjet. Në çfarë kuadri ligjor bazohet ajo që ata t’ia kalojnë qeverisë me një euro dhe pastaj t’ua blejë. Në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ka një nen ku flitet për konfiskim, por ju po shkoni përtej konfiskimit dhe po hyni në marrëdhënie financiare me ndërtuesit…
Elisa Spiropali: Nuk është vetëm ai opsion, janë disa opsione, që rrjedhin nga ky VKM, apo vendime të tjera, që mund të pasojnë, dhe që zvogëlojnë në minimum hapësirën për ndërtime të tilla në të ardhmen. Ka ardhur koha që këto ndërtime të zerohen dhe që të kuptohet nga kushdo, i pasur a i varfër, biznesman apo qytetar i thjeshtë: nuk mund të ndërtohet më pa leje në Republikën e Shqipërisë. Drejt kësaj synojmë të shkojmë me mjete ligjore, që patjetër këshilli i ministrave i ka në dorë dhe është aty për të bërë këtë punë.
E kisha fjalën pikërisht tek kuadri, duket se vendimi nuk përputhet me kuadrin ligjor, dhe përtej kësaj, duket se ngrihet një marrëdhënie mes qeverisë dhe ndërtuesve, ndërkohë që Kodi Penal parashikon që këta ndërtues duhet të ndëshkohen.
Elisa Spiropali: Nuk mund të gjykojmë kushtetutshmërinë e këtyre vendimeve. Nëse ka dyshime të tilla, ka autoritete dhe ka opozitë që mund ta çojë në Gjykatë Kushtetuese.
Por cila ishte nxitja e qeverisë në këtë rast?
Elisa Spiropali: Kemi vetëm një synim: vullenti ynë i plotë për t’i thënë Boll më dhe Ndal çdo ndërtimi pa leje, jo vetëm pallat, por edhe kat, edhe shtesë, edhe aneks etj. këto janë bërë në masë. Ka një rënie drastike, për shkak të forcimit të ligjit, që ne kemi bërë. Por nuk janë zeruar dhe ne duhet të shkojmë drejt këtij zerimi.
Pse të mos ecet thjesht me atë që parashikon Kodi Penal, që këta njerëz të ndëshkohen, se kështu përçohet edhe më tej mesazhi? Ka edhe raste në Shqipëri, si ai një gruaje mbi 80 vjeç në Shqipëri, që kishte ndërtuar një kotec ne oborrin e shtëpisë së saj, policia ndërhyri. Ndërkohë që me pallatet duket sikur u jepet një shans këtyre ndërtuesve që të dalin nga ajo pozitë ku janë dhe përsëri të marrin disa të ardhura.
Elisa Spiropali: Masat janë për të mbyllur çdo shans në të ardhmen, që njerëzit sado të fuqishëm të jenë, të mos u shkojë mendja që të ndërtojnë pa leje. Ky është synimi, ndërsa për mjetet, ka edhe një autoritete të tjera, ku mund të gjykohet kushtetueshmëria e një vendimi apo një ligji. Duhen parë mekanizmat që të çojnë drejt asaj rruge. Unë mund të flas për vullnetin politik, të këshillit të ministrave, të çdo ministri dhe të kryeministrit, të cilët kanë prioritet mbrojtjen e territorit të Shqipërisë dhe zgjidhjen përfundmtare të çështjes së pronës përmes digjitalizimit të plotë të Kadastrës shqiptare, që së bashku me reformën në drejtësi do t’i japin mundësi zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe nxitjes së biznesit në vend./voa