Komisioni i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Kukësit njofton se reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të jashtëzakonshme në Tropojë.
Mësohet se dy janë fshatrat të cilat ndodhen në situatë problematike, Fushë-Lumi ku janë bllokuar 7 familje dhe Vlad.
Njoftimi i plotë:
I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu, edhe më intensive këto në territorin e bashkisë Tropojë.
Në bashkinë Kukës e Has deri në këto momente nuk kemi raportime për ndonjë problematikë emergjente.
Nga informacioni i marrë nga Përgjegjësi i Emergjencave Civile në bashkinë Tropojë, si rezultat i reshjeve të shiut, gjendja në fshatin Fushë Lumi të Njësisë Administrative Margegaj dhe në fshatin Vlad të Njësisë Administrative Bytyë ka përmbytje te jashtezakonshme.
Në fshatin Vlad, situata është më e përkeqësuar; aty që në orët e para të mëngjesit ndodhen stafi i bashkisë Tropojë, ku po monitorojnë situatën për të parandaluar ndonjë fatkeqësi.
Në fshatin Fushë-Lumi, 7 familje janë të bllokuara nga sasia e madhe e reshjeve dhe uji i grumbulluar. Nga bashkia Tropojë janë angazhuar të gjitha strukturat përgjegjëse.