Biden paralajmëron Putinin që të mos përdorë armë bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka paralajmëruar Rusinë që të mos përdorë armë kimike apo armë taktike bërthamore në luftën në Ukrainë.

Gjatë një interviste për CBS News, Biden tha se veprime të tilla “do të ndryshonin luftën, ndryshe nga çdo gjë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Presidenti amerikan nuk tregoi se cila do të ishte përgjigja e SHBA-së nëse përdoren armë të tilla.

Sa i ndihmojnë Rusisë armët e Koresë së Veriut?

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur në gatishmëri “speciale” forcat bërthamore ruse pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. Ai u ka thënë shefave të tij të ushtrisë se kjo masë është ndërmarrë për shkak të “deklaratave agresive” nga Perëndimi.

Armët bërthamore ekzistojnë qe 80 vjet dhe shumë shtete i shohin ato si mjet që garantojnë sigurinë e tyre kombëtare. Sipas Shoqatës së Shkencëtarëve Amerikanë, Rusia vlerësohet se ka rreth 5.977 koka bërthamore. Megjithatë, ka pak gjasa që Moska synon të përdorë armë të tilla. Armët taktike bërthamore janë ato armë që mund të përdoren për distanca relativisht të shkurt. Ndërkaq, armët “strategjike” bërthamore mund të lëshohen në distanca shumë të gjata.

Në intervistën për CBS, Biden u pyet se çfarë do t’i thoshte presidentit Putin nëse ai e shqyrton mundësinë e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë në Ukrainë.
“Mos e bëj”, u përgjigj presidenti Biden.

Kush ka më shumë armë bërthamore?

Presidenti amerikan po ashtu u pyet se cilat do të ishin pasojat nëse Putin do të përdorte armë të tilla.

“Mendoni se do t’iu tregoja nëse do ta dija saktësisht se çfarë do të ndodhte? Natyrisht se nuk do t’iu tregoj. Një gjë e tillë do të kishte pasoja”, u përgjigj Biden.

Ai shtoi se përdorimi i armëve të tilla do ta bënin situatën në botë “më të tmerrshme” sesa ka qenë ndonjëherë dhe shtoi se “varësisht nga përmasat e veprimeve të tyre do të përcaktohej edhe reagimi që do të pasonte”. Pushtimi i Ukrainës nuk ka shkuar sikurse Kremlini ka shpresuar. Në ditët e fundit, Ukraina ka thënë se ka rimarrë mbi 8.000 kilometra të territorit në rajonin verilindor të Harkivit. Por, pavarësisht sukseseve të Ukrainës, Putin ka insistuar se kjo kundërofensivë e Kievit nuk do të ndalë planet e Moskës për të vazhduar luftën e saj në lindje të vendit./rel

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *