Edy Reja, trajneri i Shqipërisë, në prag të ndeshjeve me Izraelin dhe Islandën, më 24 dhe 27 shtator, në Nations League, doli para mediave. Për listën ai fillimisht tha se: “Kemi llogaritur ata që janë mirë. Mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por kemi të tjerët që duhet të stimulohen. Besojmë te vlerat e tyre. Kemi dy ndeshje vendimtare. Nuk mund të qahem”.
“Çekiçi? Doli se kishte problem muskulor. Kam folur me mjekët për ta parë. I kam thënë të vijë këtu, atij edhe Bares. Edhe ai ka probleme muskulore. Do i shohim nga afër. Kemi një javë kohe, shpresojmë të rikuperohen. Kemi jashtë edhe Kumbullën dhe Gjimshitin. Duket se në çastet vendimtare goditemi nga mungesat. Shpresoj t’i kem të gjithë gati”.
“Hoxhallari? Na mungojnë shumë lojtarë në qendër të mbrojtjes, jo në krah. Mihaj po luan, edhe Veseli e Ajeti. Edhe Hoxhallari po luan, nuk është lojtar i keq apo të them që nuk më pëlqen. Kam bërë këto zgjedhje. E shoh më të vlefshëm majtas. Është në listën e pritjes. Nëse do kemi probleme, do ftojmë të tjerë. Nuk dua të marr shumë, pasi ndonjë përfundon në tribunë. Kjo gjë nuk më pëlqen”.
https://www.youtube.com/watch?v=9ROnLSj2-Zw
“Jemi ende në garë për vendin e parë. Nëse fitojmë këto dy ndeshje ia dalim. Kemi lojtarë me eksperiencë. Mund t’ia dalim. Do përgatitemi mirë. Duhet karakter, jemi në kushte të luajmë si të barabartë me të dyja ekipet. Mund të luajmë mirë edhe në Izrael, duke u bazuar te karakteri i skuadrës”.
“Sulmi, po shënon vetëm Uzuni? Duhet ekuilibër në fushë. Bajrami po luan, ashtu edhe Çekiçi, bëri edhe një gol të çmendur. Po luajnë mirë të dy. Ideja ime është të kemi ekuilibër në fushë. Ndoshta luajmë me një sulmues dhe një gjysmësulmues. Izraeli është i shpejtë dhe teknik. Do shohim në vazhdim si do rreshtohemi në fushë”.
“Ka lojtarë që mërziten, është normale. Zgjedhjet duhen pranuar dhe të jenë gati. Ndoshta nuk ka pasur rendiment të lartë nga disa lojtarë. Prisnim shumë nga dy ndeshjet e fundit. Me Izraelin i dhuruam golit, bëmë gabime individuale. Nuk na lejohen gabimet. U penalizuam nga gabimet, nuk e meritonim humbjen me Izraelin. Grupi ka funksionuar, me përjashtim të ndonjë problemi të vogël. Do të diskutojmë çfarë duhet korrigjuar e përmirësuar”.