Humbja me Benfikën së fundmi në Ligën e Kampioneve i dha një goditje të fortë Juventusit që vinte po ashtu nga një humbje e rëndë e me polemika në kampionatin italian. Mburoja e “Zonjës” duket se ka rënë dhe tani klubi vazhdimisht po ankohet se arbitrat po e penalizojnë. VAR ka qenë mjaft i dëmshëm për bardhezinjtë që tani duhet të punojnë më shumë për të rikuperuar. Por disfata me portugezët në Champions vë në pikëpyetje objektivin e kualifikimit, për më tepër në një grup shumë të vështirë. Në këtë situatë tifozët kishin rritur presionin, po ashtu dhe media sportive në Itali e më gjerë. Thënë ndryshe tensioni në radhët e Juventusit është shumë i madh, por për ta shuar zjarrin e ndezur duket se ka menduar vetë klubi, që ka vënë mburojë për trajnerin Masimiliano Alegri, duke thënë se ai nuk do të prekte në 7 javët në vazhdim. Një periudhë e mjaftueshme që Alegri të mbledhë grupin, të rregullojë situatën dhe ta kthejë atë në favorin e vet e të skuadrës juventine. Po cila është situata e tanishme dhe qëndrimi i klubit? Pranohet që janë katër ndeshje pa fitore, midis kampionatit dhe Europës, por për momentin nuk ka asnjë revolucion në Juventus. Humbja në Champions League përballë Benfikës në shtëpi ka irrituar në maksimum tifozët të cilët kërkojnë menjëherë largimin e trajnerit Masimiliano Alegri, por klubi duket se nuk është në pozitat e duhura për ta shkarkuar. Kjo është për shkak të kontratës së Alegrit dhe klubi kërkon të bëjë edhe një “sforco” të fundit për të ndryshuar kurs dhe kthesa kërkohet ndaj Monzës në fundjavë. Alegri do të mungojë në këtë përballje pasi është i skualifikuar nga java e kaluar, pas polemikave në fundin e takimit ndaj Salernitanës. Trajneri duhet të rizbulojë frymën dhe motivimin e një skuadre që deri tani ka fituar vetëm dy ndeshje nga tetë të fillim-sezonit dhe trajneri italian ka akuzuar skuadrën për rënie të gjendjes fizike dhe probleme shqetësuese të karakterit, gjëra që duhet të ndryshojnë menjëherë. “Së bashku” ishte mesazhi i Juventus në rrjetet sociale, por tani e tutje është e ndaluar të gabosh. Klubi ka vendosur një datë për të bërë bilancin e punës dhe bëhet fjalë për 13 nëntorin, kur Seria A dhe Champions League do t’i lënë vendin Kupës së Botës, Katar 2022. Mbetet të shihet se si do të reagojë skuadra në vazhdim dhe çfarë masash do të marrë trajneri Alegri për të rikuperuar grupin dhe për të larguar hijet e shkarkimit nga pankina juventine. Ky është një moment reflektimi i “Zonjës” italiane.