Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e kësaj të diele në Shkodër. Një person humbi jetën nga të shtënat e kallashnikovit. Ngjarja ndodhi në një lokal në një zonë mjaft të populluar.
Viktima është identifikuar si Erjon Xhenjo 19 vjeç. Ai po qëndronte në këtë lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” kur është qëlluar me breshëri.
Ai u qëllua me armë nga persona ende të paidentifikuar. Në pyetje janë marrë menjëherë dëshmitarët ndërsa po sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë të lokalit dhe zonës përreth.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.
Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.