Një nga ngjarjet më të bujshme të ndodhura në qendër të Tiranës në vitet e fundit ishte pa dyshim edhe atentati kundër bankierit të famshëm Artan Santo.
Gazetarja e “Top Channel”, Anila Hoxha, bëri të ditur se, Prokuroria ka të dhëna të reja në lidhje me dosjen e bankierit Artan Santo, një prej vrasjeve të bujshme që mbetet ende e pazbardhur.
Santo u ekzekutua 7 vite më parë, në qershorin e vitit 2014 ai u ekzekutua ndërsa po hynte në selinë e bankës ku punonte.
Gazetarja Anila Hoxha sqaron se, pasi ka kryer një sërë veprimesh hetimore, prokuroria ka shpallur moskompetencën dhe ia ka dorëzuar SPAK duke qenë se ka dyshime të forta se eliminimi i Artanit është kryer nga një grup kriminal dhe vrasës me pagesë.
Mbeten private të dhënat e reja në lidhje me dosjen e Santos, por mësohet se janë nxitur dhe nga emisioni “Top Story” që dha dëshmi me interes në fillim të këtij viti.
Kjo çështje që prej javësh së kaluar është në duart e prokurorëve të posaçëm kundër krimit të organizuar.
Dosja ishte pezulluar për mungesë provash nga ana e prokurorëve Naim Tota dhe Shpëtim Garunja, të cilët ia kaluan çështjen për ndjekje hetimore të mëtejshme Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë.
Por, tashmë, dosja e bujshme është në duart e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ende nuk dihet se në cilat indicje apo prova është bazuar vendimi për rihapjen e çështjes së kësaj vrasjeje, por dyshohet se bankieri u eliminua nga një grup i strukturuar kriminal.
Nuk bëhet me dije nëse janë gjetur elementë të rinj që mund të zbulojnë vrasësit që u larguan me një motor.
Artan Santo u vra në 26 qershor të vitit 2014 përpara zyrës së tij të punës në ish-Bllok, në një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit.
Pak çaste pasi kryen krimin e rëndë, atentatorët e Santos u larguan me motor, ndërsa Policia shoqëroi dhe mori në pyetje mbi 200 persona. Pas gati 7 vitesh nuk ka asnjë të akuzuar për vrasjen e bankierit 58-vjeçar.
/Burimi: TCH/Priza.al/