Këngëtarja me famë botërore Lady Gaga, ka ndërprerë koncertin e saj të fundit në turneun Chromatica Ball në Florida pas një stuhie të fortë që goditit vendin. Gaga ishte afër përfundimit të shfaqjes së saj kur rrufetë filluan të godasin stadiumin ‘Hard Rock’ në Miami.
“Ne thjesht duhet ta ndalim koncertin për një minutë. Qëndroni të qetë teksa lëvizni në zonën e brendshme”,- u tha ajo 65 mijë njerëzve që ndodheshin në stadium.
Edhe pse Lady Gaga kishte shpresuar se stuhia do të kalonte, koncerti përfundimisht u anulua. Me lot në sy, ylli i popit u kërkoi falje fansave në një postim në profilin e saj në Instagram. Ajo shkruan se:
“Ne vërtet u përpoqëm ta përfundonim koncertin sonte në Miami, por nuk mundëm sepse edhe kur shiu pushoi, rrufeja goditi shumë afër nesh. Unë nuk e di se çfarë do të bëja nëse diçka do t’i ndodhte dikujt nga publiku ose ndonjë anëtari të ekuipazhit tim.”
Më pas këngëtarja mori një buqetë me trëndafila që një fans i kishte hedhur në skenë. Përpara se koncerti të anulohej, fansat u mblodhën nën pjesën e mbuluar të stadiumit dhe kënduan hitin e Gaga-s “Rain On Me”. Edhe pse më vonë u kthyen në vendet e tyre, organizatorët vendosën se nuk ishte e sigurt që koncerti të vazhdohej.
Lady Gaga, së cilës i kishin mbetur rreth gjashtë këngë për të interpretuar, u ngjit në skenë për të njoftuar anulimin duke thënë se: “Nuk dua t’ju vendos në rrezik jetën. Shkoni në shtëpi të sigurt, Zoti ju bekoftë dhe ju falënderoj që erdhët në shfaqje.” Ndërsa fansat thanë se këngëtarja ishte shumë e mërzitur nga anulimi i koncertit.