Në një intervistë për “Top News”, ambasadori i Izraelit në Shqipëri shprehet se “nuk do të ndodhë kurrë që banesat t’u rikthehen pronarëve palestinezë, sepse ajo është toka e Izraelit”.
Diplomati pranon se ajo se çfarë po ndodh nuk është e drejtë, por në luftë nuk ka asgjë të drejtë, dhe sipas tij, luftën të parët po e provokojnë militantët e Hamasit.
“E keni fjalën t’u kthehen shtëpitë? Pronat? Kjo s’do të ndodhë kurrë sepse ajo është toka e Izraelit sot, nëse ua rikthejmë ato palestinezëve, një apo dy milionë qytetarë duhet të kthehen mbrapa. Nuk do të jetë më shteti i Izraelit nëse kjo ndodh. Askush nuk u largua nga Jerusalemi nga qytetarët Palestinezë.
Nga ana tjetër, nëse e shikoni kur u themelua shteti i Izraelit, 700 mijë Hebrenjë u vranë dhe u nxorën jashtë nga shtet Arabe duke humbur shtëpitë e tyre. Kështu që nuk është një marrëveshje e njëanshme. Ne vuajmë, ata vuajnë. Pra nëse do të diskutojmë për një marrëveshje paqeje, duhet të kalkulojmë gjithçka nga këto”.
Ambasadori izraelit në Tiranë thotë se lufta tani është kundër Hamasit.
“Hamasi është një organizatë terroriste. Hamasi është themeluar, të gjithë mund të hyjnë dhe të lexojnë për këtë. Dhe konkretisht thuhet se ne jemi themeluar për shkatërrimin e shtetit Izraelit. Shumë e thjeshtë, kështu që askush nuk mund të negociojë me dikë që do ta vrasë.
Nuk është pikëpyetja tek Jerusalemi. Jeruzalemi në këtë rast është preteksti. Hamasi hedh në Izrael çdo ditë raketa, dhe përsëritet kjo situate çdo 2 a 3 vite e njëjta gjë, këtë herë preteksti ishte Jeruzalemi, por herën tjetër do të jetë diçka tjetër”.
Ambasadori pranon se shembulli i marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Izraelit është një shembull i mire për marrëdhëniet me vendet e tjera.
“Sigurisht që po, por nëse shikoni përgjatë vitit të fundit, Izraeli ka stabilizuar marrëdhëniet diplomatike me Sudanin, Bahrejnin, Marokun, Emiratet e Bashkuara Arabe, si edhe disa shtete të tjera po negociojnë me ne për këtë.
Kështu që, shumë shtete arabe, e kuptuan se marrëdhëniet e mira me Izraelin nuk kanë asnjë kontradiktë me qëndrimin tone ndaj Palestinezëve. Me fjalë të tjera, Palestinezët nuk mund të marrin peng procesin e paqes dhe me këtë mënyrë të bllokojnë marrëdhëniet me ne dhe shtetet Arabe. Kjo histori ka marrë fund”.
Izraeli është ndërkohë i kënaqur me reagimin e Kosovës dhe të Shqipërisë në momentin aktual.
“Pati një deklaratë nga Ministrja se është e papranueshme, mjaftohemi me këtë. Nuk ka ndonjë gjë specifike që ne kërkojmë nga Shqipëria në këto kohë përveç të kuptuarit se ne jemi të sulmuarit. Qytetarët tanë janë sulmuar”.
Ambasadori komentoi edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit, veçanërisht në fushën ekonomike. Ndërkohë që pak ditë më parë rifilluan udhëtimet mes dy vendeve.
“Tani që shumica e qytetarëve në Izrael janë vaksinuar, sipërmarrës nisën të vijnë, qëllimi im është të vijnë sa më shumë kompani izraelite për të investuar. Kryesisht në sektorin e turizmit, agrikulturës dhe teknologji.
Sepse atmosfera është shumë miqësore për ne, është vend mesdhetar, jo shumë larg, vetëm dy ore gjysmë fluturim, njerëz të mire, inteligjentë, gjenerata e re është e mirë shkolluar, të vijnë, të shohin dhe të vendosin.
Kudo që duan të investojnë. Mendimi im është se duhet investuar këtu dhe të eksportosh lehtësisht në Europë. Kjo mund të bëhet edhe në Izrael, por nga atje bëhet me avionë, ndërsa nga këtu me automjete të tonazhit të rëndë. Është çështje zgjedhjeje. Duam të ekspozojmë Shqipërinë drejt tregut Izraelit”.
/Burimi: TCH/