Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se bota “duhet të ndalojë [Rusinë] para se të jetë shumë vonë”. Këto deklarata ai i bëri më 19 shtator pasi Ukraina akuzoi forcat ruse se gjatë natës sulmuan me raketë një tjetër central bërthamor në jug të vendit.
Përmes rrjetit Telegram, Zelensky tha se “raketa ra 300 metra” larg centralit bërthamor të Pivdenoukrainskit, që gjendet në rajonin e Mikolajivit. Sipas tij, pas granatimit ka pasur “një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike” në këtë central.
Presidenti ukrainas tha se xhamat e centralit janë dëmtuar dhe sugjeroi se “pushtuesit dëshironin të kryenin edhe një sulm, por harruan se për çfarë centrali bërthamor bëhej fjalë”.
“Rusia po rrezikon të gjithë botën”, tha ai. “Ne duhet ta ndalojmë atë para se të jetë shumë vonë”, shtoi presidenti ukrainas.
Më herët gjatë ditës, operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, akuzoi trupat ruse se kanë sulmuar centralin e Pivdenoukrainskit. Operatori, megjithatë, tha se reaktorët e kësaj uzine nuk janë dëmtuar dhe se puna po vazhdon normalisht.
Situata në centralin tjetër bërthamor të Ukrainës, Zaporizhja, që është pushtuar nga forcat ruse në mars, po vlerësohet shqetësuese, teksa komuniteti ndërkombëtar po kërkon që zona përreth kësaj uzine të çarmatoset dhe kontrolli i centralit t’i kthehet Ukrainës.
Raportohet se furnizimi me rrymë është rikthyer gjatë fundjavës që shkoi në Zaporizhja, që ul frikën për ndonjë katastrofë të mundshme në këtë central bërthamor, që është më i madhi në Evropë.
Zyrtarët ukrainas thanë më 18 shtator se forcat ruse po kryejnë sulme ndaj infrastrukturës civile në qytetin e Zaporizhjës. Nuk është mundur ende të verifikohet në mënyrë të pavarur pretendimi për intensifikim të luftimeve në Zaporizhja.
Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, vazhdimisht ka fajësuar forcat ukrainase për granatimin e Zaporizhjës./REL