Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla ka njoftuar se PS do të depozitojë brenda 10 ditësh në Kuvend projektligje për ndryshime në ligjin për Partitë Politike dhe në Kodin Zgjedhor.
Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se nuk do të ketë më pengesa për verifikim, dhe se ish-sigurimsat e shteti nuk mund të jenë më kryetarë të një partie politike.
“Ka nevojë urgjente e politikës shqiptare dhe institucioneve të tjera për t’u pastruar nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Kemi diskutuar për 2 projektligjet që janë në proces, i pari ligji për autoritetin për informimin mbi dosjet e sigurimit të shtetit, nuk do të ketë më asnjë pengesë për tu verifikuar edhe ata që janë verifikuar më parë. Dhe natyrshëm edhe çështja tjetër për parashikimin ën Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, ku të gjithë kandidatet të bëjnë kërkesë te Autoriteti dhe ata të kenë mundësi të verifikojnë.
Gjithashtu vijon puna brenda grupit parlamentar për pjesën tjetër të paketës që ka të bëjë edhe me ligjin për dekriminalizimit, ku të parashikohen edhe bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit, si dhe ligji për partitë sepse nuk mund të jesh kryetari i një partie politike nëse rezulton të kesh qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Natyrshëm që kemi edhe çështje të tjera që kemi adresuar ne mbledhjen e grupit parlamentar”, tha ai.