Qeveria holandeze pritet të shpallë ditën e nesërme vendosjen e çmimit tavan për kontratat e energjisë nga 1 janari 2023 për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimeve, njoftoi transmetuesi holandez NOS.
Çmimi tavan i energjisë do të referohet me nivelin e janarit 2022, ku do të llogaritet sasia mesatare e gazit dhe energjisë elektrike të përdorur nga familjet. Plani pritet të shpallet nga qeveria holandeze të martën, ndërsa sot në mbrëmje po punohet për detajet me kompanitë e energjisë.
Përveç kufirit të çmimit, kompanitë e energjisë do të premtojnë gjithashtu se nuk do të ndërpresin furnizimet për asnjë klient në gjashtë muajt e ardhshëm. NOS, njoftoi se do të përpiqen të fillojnë të ofrojnë përsëri kontrata fikse afatgjata për klientët.
Masat do t’i shtohen planeve të shpenzimeve prej 16 miliardë eurosh vitin e ardhshëm në një përpjekje për të mbështetur konsumatorët që duhet të futen thellë në xhepat e tyre për të paguar energjinë dhe ushqimin. Planet e qeverisë do të zbulohen së bashku me buxhetin e vitit 2023.
Këto shpenzime, të cilat përfshijnë një rritje prej 10% të pagës minimale dhe subvencione më të larta të lidhura me të ardhurat për kujdesin shëndetësor dhe qiranë, do të mbulohen kryesisht nga rritja taksimeve për bizneset e mëdha dhe familjet e pasura në Holandë.