Erdogan: Putini i gatshëm t’i japë fund luftës

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet t’ia kthejë Ukrainës tokat e okupuara, si pjesë e një marrëveshjeje për paqen.

Ai deklaroi të martën në një intervistë për mediumin “PBS”, se me Putinin pati biseda të gjata javën e kaluar në një samit në Uzbekistan.

“Ai më tregoi se është i gatshëm t’i japë fund kësaj sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo ishte përshtypja ime, sepse mënyra se si po shkojnë gjërat është mjaft problematike. 200 pengje do të shkëmbehen me marrëveshje mes palëve. Mendoj se do të bëhet hap i rëndësishëm përpara”, tha Erdogan.

Presidenti turk deklaroi se Rusisë nuk duhet t’i lejohet ta mbajë një pjesë të territorit që i është marrë Ukrainës.

“Kur flasim për marrëveshje reciproke, kjo është ajo që nënkuptojmë. Nëse do të vendoset paqja në Ukrainë, sigurisht se kthimi i tokave të pushtuara do të jetë i rëndësishëm. Kjo është ajo që pritet. Tokat që u pushtuan do t’i kthehen Ukrainës”, tha ai.

Për Krimenë, që Rusia e aneksoi në 2014-n nga territori ukrainas, Erdogan tha se e ka biseduar këtë çështje me Putinin, por deri më tani nuk ka ndryshim qëndrimesh.

“Ne ia kërkuam atij (Putinit ) t’ua kthejë Krimenë pronarëve të saj legjitimë. Këta janë pasardhësit tanë në të njëjtën kohë, njerëzit që jetojnë atje. Nëse do ta bënit këtë hap përpara, nëse mund të na linit, do të lehtësoheni, gjithashtu tatarët e Krimesë dhe të Ukrainës. Kjo është ajo që kemi thënë gjithmonë. Por që atëherë, për fat të keq, asnjë hap nuk është bërë para”, shtoi Erdogan t’i ketë thënë Putinit.

 

I pyetur se a i justifikohet Putinit agresioni në Ukrainë, presidenti turk deklaroi se asnjë pushtim nuk mund të justifikohet.

Tutje, për krimet ruse ndaj civilëve, Erdogan tha se do të ishte ideale sikur Kombet e Bashkuara të hidhnin dritë mbi këto ngjarje.

“Nëse kjo nuk ndodh, si udhëheqës i një vendi, do ta kem të vështirë t’i shpjegoj këto çështje”, tha Erdogan, duke shtuar se Turqia nuk mund të mbajë anë.

Erdogani shtoi se Putini po u jep përparësi interesave të Rusisë, ndërsa sipas tij, në zgjidhjen e konfliktit, nuk duhet marrë anë ndaj një lideri.

Erdogan i përsëriti pretendimet se Suedia ka në djep të saj terrorizëm, e sipas tij, terroristët janë të infiltruar deri në fund në parlamentin suedez.

“Dhe, në Stokholm, ne shohim se terroristët po demonstrojnë gjatë tërë kohës. Ata po sulmojnë pasardhësit e pafajshëm turq në Stokholm. Dhe ne ua kemi dhënë të gjitha provat relevante për këto zhvillime bashkëbiseduesve tanë suedezë. Finlanda, nga ana tjetër, nuk është si Suedia. Ata janë pak më të qetë dhe kanë më shumë kontroll mbi zhvillimet. Por Suedia nuk është e tillë. Ata gjithmonë përdorin arsye të caktuara. Ata gjithmonë përdorin justifikime të caktuara. Ata gjithmonë flasin për Kushtetutën. Dhe, si parim sundues të Kushtetutës, ata vlerësojnë lirinë e shprehjes”, u shpreh Erdogan.

I pyetur për zgjedhjet që mbahen vitin e ardhshëm Turqi, Erdogan tha se nuk e sheh si problem, pasi sipas tij, populli turk nuk ka alternativë tjetër.

“Nuk kemi asnjë shqetësim për zgjedhjet. Askush nuk do të na zëvendësojë, sepse nuk ka alternativë”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *