Presidenti refuzon të shkojë në seancë dëgjimore, Komisioni: Ja deri kur e presim! Por Meta ka edhe një mesazh për Ruçin  

Kreu i shtetit pritej q sot me këmbët e tij të shkonte për të dëshmuar edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar, të ngritur nga maxhoranca për ta shkarkuar atë.

Por Presidenti Ilir Meta, jo vetëm që nuk ka pranuar të shkojë por i ka kthyer përgjigje Kuvendit, lidhur me ftesën për t’u paraqitur në seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij.

Në përgjigjen e tij, Kreu i Shtetit thekson mes të tjerash se “Që në krye të herës, vlen të theksohet se, kjo kërkesë, në përmbajtje të saj, nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore për bazueshmërinë e saj”.

Më tej, vijon duke sqaruar se: “Presidenti i Republikës e ka përmbushur dhe do të vijojë ta përmbushë detyrimin kushtetues për të qenë transparent në raport me popullin shqiptar, pasi çdo akt, vendimmarrje, dekret etj., i ka bërë publike në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe në mjetet e informimit publik”.

Në letrën voluminoze dhe shteruese drejtuar komisionit, Meta theksonte se, kërkesa sipas tij, nuk referon asnjë dispozitë kushtetuese. Sakaq, nga ana tjetër, komisioni u mblodh sërish ditën e sotme, për t’i vendosur Presidentit një afat të ri.

Kryetari i komisionit, Alket Hyseni, tha se, Presidenti Meta, nga dita e nesërme, datë 19 maj, e deri të hënën, datë 24 maj, ka të drejtë të caktojë orën dhe ditën se kur mund të zhvillohet seanca dëgjimore.

Nga krahu tjetër, anëtari i komisionit Spartak Braho, reagoi ndaj letrës së Presidencës, ku ndër të tjera, thoshte se, “Parlamenti nuk është legjitim”. Braho theksoi, se nëse Parlamenti nuk njihet, atëherë kjo sipas tij, mund të konsiderohet si një puç.

“Nëse Presidenti nuk njeh legjitimitetin e Kuvendit, është puç, nuk është Republikë Parlamentare”,- deklaroi deputeti i PS-së, Spartak Braho.

Në letrën drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Presidenti Ilir Meta, thekson se Komisoni Hetimor Parlamentar i ngritur për të shqyrtuar kërkesën e PS-së, për shkarkimin e tij është në shkelje të Kushtetutës.

Meta sqaron arsyet pse, sipas tij, ky komision nuk mund të marrë vendime, duke theksuar se “ky Kuvend tashmë pas zgjedhjeve të zhvilluara më 25 prill 2021, ndodhet në një periudhë tranzitore, që i duhet të qëndrojë në detyrë si një detyrim kushtetues, por nuk ka as kohë dhe as legjitimitet të ndërmarrë iniciativa për asnjë lloj veprimtarie hetimore, ndaj askujt, dhe për asnjë arsye”.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *