Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar në lidhje me sulmin kibernetik, ku u ka kërkuar që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në lidhje me publikimin e të dhënave që janë hakërruar.
AMA thekson se duhet evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin nga ana e prokurorisë.
Njoftimi i plotë:
AMA ka identifikuar se së fundmi në programet audiovizive informative po zënë vend dhe publikime të të dhënave që janë siguruar nga hakerimi në sistemet e teknologjisë së informacionit të disa prej institucioneve publike. Mes informacioneve që po shpërndahen ka dhe të dhëna sensitive, që lidhen me sekrete hetimore nga institucionet dhe agjencitë e rendit dhe sigurisë publike, deri dhe dokumente me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, sipas përfaqësuesve të prokurorisë që po hetojnë rastet. Duke respektuar standardin e veprimtarisë së lirë audiovizive, apo të pavarësisë editoriale në hartimin dhe prodhimin e katalogëve të programeve nga subjektet e licencuara, AMA, ka pritmëri që redaksitë të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare.
Fakt është një pjesë e OSHMA-ve nuk kanë preferuar të publikojnë të dhënat sensitive me elementë të cënimit të sigurisë kombëtare, duke respektuar kështu dhe kërkesat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës dhe duke mos rënë pre e synimeve të sulmuesve kibernetikë, ndërkohë që bëjmë apel dhe kërkojmë që dhe nga OSHMA të tjera të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues. AMA u ka bërë thirrje redaksive të mediave që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi profesionale në prezantimin dhe trajtimin e publikimit të të dhënave që janë përftuar në mënyrë të paligjshme nga grupe hakerash iranianë në sistemet kompjuterike të institucioneve publike shqiptare. Ne njoftim theksohet se duhet të evitohen publikimet e përmbajtjeve që pengojnë dhe dekonspirojnë hetimin e organit procedues.