PL: Shkodra ndodhet nën pushtetin e krimit, rendi publik është tronditur

Partia e Lirisë ka reaguar në lidhje me rendin publik dhe sigurisë së jetës në qytetin e Shkodrës.

Përmes një postimi në rrjete sociale, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi shkruan se siguria e qytetarëve dhe bizneseve në këtë qytet janë tronditur më rëndë se kurrë, pasi ndodhet nën pushtetin e krimit.

Sakaq shton se vetëm në 9 muajt të parë të vitit 2022 në Shkodër janë ekzekutuar 6 persona dhe se ende policia nuk ka identifikuar asnjë autor.

Postimi i plotë:

Shkodra nën terrorin dhe pushtetin e krimit dhe të bandave me mbështetje qeveritare!

Siguria e qytetarëve dhe e bizneseve në Shkodër është tronditur më rëndë se kurrë.

Kryeqendra e Veriut, ndodhet nën pushtetin e krimit për shkak të mbështetjes së hapur të Qeverisë për bandat më të rrezikshme lokale, të mbrojtura dhe të vëna në shërbim të saj.

Vetëm në 9 muajt të parë të vitit 2022 në Shkodër janë ekzekutuar 6 persona.

Të gjitha vrasje mafioze të pazbardhura nga Policia e Shtetit dhe ende pa autor.

Çdo qytetar në Shkodër i di shumë qartë motivet e krimeve, edhe Policia e Shtetit i di, por nuk bën asnjë përpjekje për të zbardhur vrasjet, arrestuar dhe nxjerrë para drejtësisë autorët, sepse direktiva që ka marrë nga Edi Rama dhe Bledi Çuçi është e qartë: “Hëngshin kokat e njëri-tjetrit. Pa krim nuk ka zhvillim”. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe lënien e Shkodrës nën sundimin e bandave të lidhura me pushtetin, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit, në zbatim të ligjit dhe të Kushtetutës, të nisë pa vonesë rivendosjen e rendit publik dhe sigurisë së jetës në këtë qytet simbol të qytetarisë, dijes, arsimit dhe kulturës. Shqiptarët meritojnë një Qeveri dhe Polici të Shtetit që lufton me zero kompromis krimin e organizuar në çdo qelizë të saj.

Partia e Lirisë garanton çdo qytetar shqiptar se që në ditën e saj të parë në pushtet do të nisë me vendosmëri të hekurt betejën për të çmontuar dhe shtypur me të gjithë forcën e ligjit bandat kriminale të Edi Ramës në çdo qytet të Shqipërisë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *