Vrasja e 19-vjeçarit Erjon Xhenje mbrëmjen e 18 shtatorit në Shkodër ka vënë në lëvizje edhe Drejtorin e Ri të Policisë së Shtetit.
Muhamet Rrumbullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka zhvilluar një takim ‘blic’ në Shkodër, ku ka mbledhur drejtues të Departamentit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme e drejtues të lartë të Policisë së Shkodrës për rreth një orë.
Burime për median bëjnë me dije se në fokus të bisedës mësohet se ka qenë zbardhja e vrasjes së 19-vjeçarit. Rrumbullaku ka kërkuar administrimin e të gjitha provave që disponon policia. Ndërsa, sektori i kriminalistikës pranë Drejtorisë së Përgjithshme është vënë në dipozicion të grupit hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë që ka tronditur Shkodrën.
Si ndodhi vrasja e 19-vjeçarit Erjon Xhenje?
Erjon Xhenje u qëllua me mbi 30 plumba mbrëmjen e 18 shtatorit në Shkodër. 19-vjeçari ishte ulur në një lokal, duke konsumuar kafe në momentin që mbeti i vdekur. Xhenje, rezulton të jetë i afërm i Sehar Xhenjës, i cili është në kërkim për tentativë vrasjeje pasi qëlloi me armë drejt automjetit me të cilin po lëvizte Taulant Pepaj në shkurt të vitit 2021. Për këtë ngjarje janë shpallur në kërkim edhe Eljon (Esmeraldo) Hato, 31 vjeç dhe dhe Shkelzen Xhenje, 29-vjeç.