Mbretëria e Bashkuar po e shqyrton mundësinë që të bëhet pjesë e Bashkësisë Politike Evropiane gjatë muajit të ardhshëm. Takimi i parë i Bashkësisë Politike Evropiane pritet të mbahet më 6 tetor në Pragë të Çekisë. Ideja për krijimin e kësaj bashkësie është prezantuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron në muajin maj, i cili ka thënë se do të ishte “një hapësirë e re” për bashkëpunim.
Qeveria britanike, siç raporton BBC, dëshiron më shumë detaje për samitin, para se kryeministrja Liz Truss të vendosë nëse do të marrë pjesë në takimin në Pragë.
Macron ka sugjeruar se ky grup mund të diskutojë për sigurinë, energjinë, transportin, por edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve. Bashkësia Politike Evropiane mëton që të jetë një forum që shkon përtej 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor pritet që të ftohen që të marrin pjesë në këtë bashkësi, por edhe të gjitha shtetet e BE-së si dhe Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.
Kur është prezantuar si ide, Franca ka thënë se Bashkësia Politike Evropiane nuk do të jetë alternativë për anëtarësimin në BE.
Ide të ngjashme për krijimin e një bashkësie të tillë ka dhënë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. Edhe ai ka thënë se këto ide nuk duhet të shihen si zëvendësim për anëtarësimin në bllok.
Por, njohësit e çështjeve politike evropiane, i kanë thënë më herët REL-it se propozimet për krijimin e një organizate politike, me qëllim të bashkimit të shteteve që ndajnë vlerat e BE-së, por që s’janë pjesë e bllokut, janë një përpjekje për të ndalur zgjerimin e BE-së. Mbretëria e Bashkuar është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar të vitit 2020./REL