Ukraina dhe perëndimi: Mobilizimi, shenjë se agresioni rus në Ukrainë po dështon

Presidenti rus Vladimir Putin thirri të mërkurën 300,000 rezervistë për të luftuar në Ukrainë duke mbështetur planet për aneksimin e një pjesë të vendit fqinj. Po ashtu ai la të kuptohej se është i gatshëm të përdorte armë bërthamore. Ky është mobilizimi i parë i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë reaguan duke thënë se vendimi tregonte se fushata e Rusisë në Ukrainë po dështon. Ndërkaq Moska për herë të parë përmendi shifrën se 6 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë, ndonëse Pentagoni në muajin gusht kishte thënë se shifra e ushtarëve rusë të vrarë e plagosur në Ukrainë arrijnë deri në 80 mijë veta.

Në një fjalim të mbajtur sot në mëngjes Presidenti Putin tha se mobilizimi do të fillojë nga dita e sotme. Ai akuzoi NATO-n për luftën në Ukrainë, duke shantazhuar edhe me armë bërthamore.

“Po flasim jo vetëm për bombardimin e nxitur nga perëndimi të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, por edhe për deklaratat e disa përfaqësuesve të rangut të lartë të NATO-s për mundësinë e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë kundër Rusisë… Dua t’u kujtoj atyre se edhe vendi ynë ka shumëllojshmëri armësh, dhe në disa fusha edhe më moderne se ato të vendeve të NATO-s. … Ky nuk është një bllof,” tha presidenti rus, Vladimir Putin.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë reaguan duke thënë se vendimi për mobilizim të pjesshëm të popullsisë tregon se fushata e Rusisë në Ukrainë po dështon.

“Padyshim kjo tregon se ai po has vështirësi dhe ne e dimë këtë. Ka moral dhe kohezion të tmerrshëm në fushën e betejës. Ai ka probleme me dezertimet dhe me detyrimin e të plagosurve që të kthehen përsëri në luftë. Ai është në disavantazh, veçanërisht në zonën verilindore të Donbasit”, tha sot zëdhënësi i Këshillit Kombëtar amerikan të Sigurisë, John Kirby për televizionin ABC.

Mikhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas, Volodmyr Zelensky i tha agjencisë Reuters se “vendimi është absolutisht i parashikueshëm, i cili duket më shumë si një përpjekje për të justifikuar dështimin e tyre”.

Kina mbajti një qëndrim më neutral.

“Ne u bëjmë thirrje palëve të interesuara që të arrijnë një armëpushim dhe t’i japin fund luftës përmes dialogut dhe negociatave, dhe të gjejnë një zgjidhje që merr parasysh shqetësimet e arsyeshme të sigurisë të të gjitha palëve,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Wand Wenbin.

Ministri rus i Mbrotjes Sergi Shoigu, bëri sot të ditur numrin e ushtarëve rusë të vrarë gjatë luftës në Ukrainë.

“Kemi kohë që nuk kemi folur për këtë, por duhet të përmend humbjet tona. Deri më sot kemi humbur 5937 persona”, tha ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Perëndimi beson se humbjet në radhët e forcave ruse janë shumë më të mpdha.

“Forcat ruse kanë pësuar dhjetëra mijëra viktima” tha sot zëdhënësi i Këshillit Kombëtar amerikan të Sigurisë, John Kirby në televizionin ABC.

Në muajin gusht, Pentagoni tha se besonte se midis 70,000 dhe 80,000 pjesëtarë të personelit rus ishin vrarë ose plagosur gjatë luftës mbi 200 ditëshe në Ukrainë.

Ministri Shoigu tha se Rusia ka 25 milionë luftëtarë në dispozicion të saj. Dekreti i publikuar në faqen e internetit të Kremlinit vinte në dukje se mobilizimi do të zbatohej vetëm për rezervistët me përvojë të mëparshme ushtarake.

Ministri rus tha se atyre do t’u jepej trajnim shtesë përpara se të dërgoheshin në Ukrainë dhe se nuk do të përfshinin studentë ose ata që kishin shërbyer vetëm si rekrut. Shoigu tha se mobilizimi do të ndihmonte Rusinë të “konsolidojë” territoret që mban në një vijë fronti prej 1,000 km në Ukrainë. Moska thotë se po zhvillon një “operacion special” për të çmilitarizuar fqinjin e saj dhe për ta çliruar atë nga nacionalistët e rrezikshëm.

Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia po ndëprmerr një fushatë imperialiste për të ripushtuar një fqinj properëndimor, që u çlirua nga sundimi i Moskës kur Bashkimi Sovjetik u shemb më 1991./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *