Publikohen për herë të parë pamjet në të cilat është parë për herë të fundit i shumëkërkuari i drejtësisë Ervis Martinaj. Fati i Martinajt është mister që nga 11 gushti 2022, mbrëmjen kur ai u shpall dhe u denoncua i zhdukur nga familjarët e tij.
Në videon e publikuar, “mbreti i lotove” shihet i shoqëruar nga një femër dhe ish-efektivi i operacionales, Jeton Lami tashmë i arrestuar, në ambientet e një hoteli në vijën bregdetare të Durrësit
Që nga ajo mbrëmje askush nuk di të thotë cili është misteri i zhdukjes së tij këtë të mërkurë u publikua edhe foto e makinës së braktisur që përdorej nga Ervis Martinaj. Siç shikohet edhe nga fotoja, makina u gjend pranë një karburanti në rrugën Durrës-Kukës. Ndërkohë që nuk ka të dhëna të tjera se çfarë u gjend në brendësi të këtij automjeti.
Sakaq mësohet se hetimi për zhdukjen e Martinajt nisi pas informacionit të marrë nga një burim konfidencial, i cili rrëfente se i shumëkërkuari ishte rrëmbyer dhe vrarë nga kundërshtarët. Ervis Martinaj shfaqet në kamera në praninë e oficerit të Operacionales më datë 5 gusht në orën 21:15 të mbrëmjes në një nga hotelet e njohura në zonën e bregdetit. Bashkë me Martinajn, në pamje vihet re edhe një vajzë e njohur e ekranit e cila e shoqëron përgjatë gjithë kohës. Vajza që më pas u konfirmua se ishte një figurë publike, fituese në një nga ekspozetë më të mirënjohura të bukurisë në Shqipëri.
Mikesha e Martinajt
“Hera e fundit që jemi takuar ishte mbrëmja e datës 5 gusht, ku kemi shkuar në një hotel në Durrës. Atë mbrëmje kemi qëndruar ne hotel dhe jemi larguar të nesërmen. Edhe në dy ditët në vazhdim, pra deri më datë 7 gusht kam pasur kontakte me të. Më pas kemi shkëputur çdo komunikim. Me Ervisin jam njohur në fillim të vitit 2022. Nuk kam asnjë informacion se çfarë ka ndodhur më të dhe për cilat arsye”. Data 7 gusht duket se ka qenë edhe kontakti i fundit i Ervis Martinajt me vajzën që shoqërohej.
Ndërkohë që familjarët e Martinajt, japin datën 9 gusht në mbrëmje, si kontaktin e tyre të fundit me të afërmin e raportuar të zhdukur. Por ndërsa grupi hetues kishte në duar prova të reja mbi fatin e Martinaj, paralelisht nisi punën edhe për ngushtimin e darës së rrethit miqësor me të cilin personazhi më i shumëkërkuar i momentit ishte parë të lëvizte së fundmi.
I pari që u ndalua ishte agjenti i Forcave Operacionale, Jeton Lami. Personi i fundit që u pa në të gjallë me Ervis Martinaj, disa ditë para se ky i fundit të raportohej i zhdukur. Jeton Lami u arrestua më 23 gusht 2022. Atij iu vendosën prangat në zyrën e shefit të tij. Lami pranoi se kishte qenë në këtë qytet me familjarë të tij, por mohoi të ishte shoqëruar me persona të shpallur në kërkim nga policia. Po kështu ai iu përgjigj në mënyrë mohuese pyetjes, nëse kishte pasur kontakte me Ervis Martinaj. Është ky momenti, kur agjentit të operacionales iu vu në dispozicion një video, ku ai shfaqet brenda një hoteli në qytetin e Durrësit, në praninë e të shumëkërkuarit nga Prokuroria e Posaçme, ne kuadër të Operacionit ‘Plumbi i Artë’.
Por ndërsa grupi hetimor kërkon të gjejë shtigje të reja drejt zbardhjes të së vërtetës për zhdukjen e Ervis Martinaj, duket se humbja e tij pa gjurmë, është e mbuluar nga një tis mjegulle që vazhdon të qëndrojë pezull mbi ngjarjen.
Ndërsa Policia është në kërkim të autorëve të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së tij, një ndër këto dyshime lidhet edhe me hasmëritë që Ervis Martinaj, kishte krijuar kohë pas kohe.
FAIK MARTINAJ, xhaxhai i Ervis Martinaj
“Unë dyshoj se zhdukja e nipit tim Ervis Martinaj ka lidhje me grupe kriminale dhe individë që i ka përfshirë Nuredin Dumani. Në këtë histori është edhe Indrit Dokle, i cili mund te ketë organizuar gjithçka lidhur me zhdukjen e nipit”.
Mbështetur në dëshmitë e familjarëve dhe të akuzave që ata ngritën, grupi hetues mori në pyetje edhe Endrit Doklen.
Personi që sikundër del edhe në dëshminë e Nuredin Dumanit, ka qenë objektiv i shënjestrës së Ervis Martinaj. Por Dokle, ashtu siç pritej, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen e zhdukjes së Ervis Martinaj.
ENDRIT DOKLE
“Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dhe po kështu nuk kam asnjë konflikt me Ervis Martinaj”.
Autoritetet nuk e kanë ende një përgjigje për fatin e babait të 4 fëmijëve të mitur./news24