Rebeka Gannon është 29-vjeçarja e cila humbi jetën tragjikisht gjatë një ekspedite nënujore në Sarandë pak ditë më parë. Sot, mediet britanike kanë publikuar fotot e së resë që humbi jetën në Shqipëri. Ajo kishte ardhur në qytetin bregdetar bashkë me të dashurin e saj, Robert Kerans.
Pas ngjarjes së ndodhur pasditen e së hënës në brigjet e Sarandës, në Shqipëri, Policia arrestoi pronarin e qendrës së zhytjes Spiranca, Saimir Kushova, 45 vjeç, i cili po hetohet për shkelje të rregullave të sigurisë dhe punësimin e një instruktore zhytjeje jo të kualifikuar, të quajtur Gerta Brozi.
I dashuri i saj tregoi: Unë dhe Rebeka mbërritëm në qendër dhe plotësuam një formular. Ishim 12 veta dhe tre instruktorë. Gerta kontrolloi pajisjet, por dukej se nuk i kushtoi shumë vëmendje.
E di që kishte një problem me rregullatorin e Rebekës, por Gerta tha se ishte zgjidhur. Ne hymë në ujë, por nuk e di nëse problemi u rregullua. Ne kishim hyrë mjaft thellë dhe një nga grupi kishte probleme me presionin dhe doli në sipërfaqe. Nuk mund ta shihja Rebekën kur isha në ujë pasi dukshmëria nuk ishte shumë e mirë. Duhet të kem qenë në ujë për rreth 25 minuta dhe kur dola në sipërfaqe pashë një varkë policie pranë nesh dhe atëherë kuptova se diçka e keqe kishte ndodhur.
Kerans tha se Saimiri kishte parë se ajo ishte në telashe dhe u zhyt në përpjekje për ta shpëtuar, duke e nxjerrë në sipërfaqe.
“Ajo kishte qenë në ujë për dhjetë minuta dhe më pas u fut në vështirësi, kishte pasur një problem me një rregullator më parë, por ai ishte ndryshuar dhe funksiononte mirë”, tregoi Greta Brozi.