Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt. Sipas Ramës, policia ka një version por, për ta komunikuar zyrtarisht duhen prova.
Gjatë fjalës së tij në emisionin “Opinion”, Rama theksoi se kjo ngjarje është dhe një nga arsyet përse rezultati i punës së Gledis Nano u bë edhe më i dobët. Më tej ai ka shtuar se kjo është një telenovelë që po udhëhiqet nga media.
Pjesë nga biseda:
Rama: Këtë e theksova në fjalimin para trupës drejtuese të Policisë së Shtetit dhe kjo ishte edhe arsyeja kryesore mes atyre që përmenda se “ne e pamë të udhës që t’i kërkojmë Drejtorit të Përgjithshëm të bëjë një hapa mbrapa”. Është e pabesueshme që të jetojmë në një Big Brother të kronikës së zezë dhe me spekulant që hedhin lloj-lloj versionesh dhe mediat që udhëheqin këtë telenovelë për aq kohë sa policia nuk ka versionin zyrtar.
A ka policia informacion?
Rama: Këtë do e shikojmë.
A e keni ju një version?
Rama: Unë jam vazhdimisht i informuar nga Policia e Shtetit, problemi është që policia duhet të ketë version të bazuar në prova. Policia ka shumë më tepër se të tjerët, por kur bën një deklaratë zyrtare duhet të ketë prova. Uroj ta ketë versionin sa më shpejtë.