Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann gjatë prezantimit të programit “EU4LEA”, ka zbuluar edhe disa nga kushtet që duhet të plotësojë vendi jonë për anëtarësimit në BE.
Ambasadorja Hohmann, e cila ka vetëm pak kohë që ka marrë detyrën në vendin tonë, theksoi së Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e pastrimit të parave dhe duhet që të ecet para me reformën në BE. Gjithashtu ambasadorja tha se vendi ynë duhet që të zhvillojë bashkëpunimin me vendet e Bashkimit Europian..
“Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta. Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme dhe të këtë sukses ne këtë përpjekje, ndaj jemi këtu.”, tha ajo.