Mospjesmarrja e Ilir Shaqirit në “Dancing With the Stars”, që këtë sezon televiziv vjen në ekranin e ‘Top Channel’, erdhi si një surprizë duke qenë se balerini i njohur ka qenë kryetar i jurisë në programin e kërcimit gjatë gjithë edicioneve të tij deri më tani. Në vend të tij, karrigia e rëndësishme në spektaklin e njohur i është besuar Kledi Kadiut, ndërsa Shaqiri është kryetar jurie në formatin tjetër të kërcimit “Dance With Me” në Tv Klan.
Ditët e fundit është përfolur shumë në media për arsyet që kanë çuar në mospjesmarrjen e Shaqirit në “DWTS”, nisur edhe nga fakti që ai është rishtazi fitues i “Big Brother Vip” dhe po ashtu pjesë e ‘Digitalb’ dhe pikërisht për këto lajme, balerini ka reaguar në Instagram-in e tij sot, duke treguar edhe arsyet përse nuk është më në Top Channel.
Ndër të tjera, Shaqiri e nis deklaratën e tij me një “tërheqje veshi” për mediat, ndërkohë që në lidhje me produksionin e “Dancing With the Stars” ai rrëfen se ka folur vetë 2 herë gjatë muajve të fundit. Një herë në maj, kur i është bërë me dije se “është i lirë” nga projekti dhe njëherë në gusht, kur i kontaktuar nga ta, pikërisht për të qenë pjesë e jurisë i ka thënë “nuk jam më i lirë”. Kjo sipas tij për arsye sepse kishte nisur punën për “Dance With Me”. Po ashtu ai thotë se është ndjerë pjesë e familjes së Top Media-s, sidomos pas suksesit në Big Brother Vip, megjithatë në fund ai thotë se zgjodhi të shkonte në televizion tjetër për shkak të konsideratës dhe vlerësimit atje.