Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar pas takimit me pedagogët, duke propozuar një politikë për rritjen e pagave për pedagogët e universiteteve bazuar në performancën e tyre.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, Kushi thotë se shumë prej çështjeve të ngritura nga pedagogët, nga mbështetja e kërkimit shkencor tek transparenca e financave të universiteteve, janë në proces draftimi.
Më tej, ministrja ka shtuar se përsa i përket rritjes së pagave qeveria synon krijimin e një politike që lidhet me performancën e universiteteve.
“Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.
Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:
– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;
– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;
– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;
– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.
Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës”, shkruan ministrja Kushi.