“Lojtarët duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin por duhet thënë që kemi shumë të huaj dhe disa nuk flasin as anglisht. Komunikimi është shumë i vështirë. 90% të kohës flas anglisht”,- kështu u shpreh ish-trajneri i Kukësit, Skënder Gega, pas barazimit ndaj Teutës në javën e 4-të që rezultoi edhe në largimin e tij nga stoli.
Një problem që për sytë e shikuesit nuk do të vihej re kurrë por, te Kukësi ka rezultuar në një faktor të rëndësishëm për performancat negative këtë sezon. Plot 11 të huaj janë pjesë e Kukësit duke formuar një ekip të tërë që nuk flet shqip me disa prej tyre që nuk flasin as anglisht.
5 folës të portugalishtes, 4 serbo-kroate, 2 anglisht dhe 1 arabisht nëse konsiderojmë mbërritjen e Abdou Mubarak. Larmia kaq e madhe e gjuhëve ka sjellë edhe konfuzion në komunikimin e lojtarëve me trajnerin apo njëri-tjetrin, gjë që është shumë e rëndësishme gjatë ndeshjeve.