Liderët e vendeve të G7 kanë publikuar një deklaratë përmes të cilës dënojnë të ashtuquajturat referendumet e Rusisë në katër rajonet ukrainase, që pjesërisht kontrollohen nga Moska.
“Këto veprime shkelin qartë Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Ligjin ndërkombëtar, dhe janë diametralisht kundër sundimit të ligjit midis kombeve… Këto referendume në zonat që janë vënë me forcë nën kontrollin e përkohshëm të Rusisë në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë një shprehje legjitime të vullnetit të popullit ukrainas, i cili vazhdimisht i ka rezistuar përpjekjeve ruse për të ndryshuar kufijtë me forcë”, thuhet në deklaratë.
“Ne nuk do t’i njohim kurrë këto referendume, që duket se janë një hap drejt aneksimit rus, dhe nuk do ta njohim kurrë një aneksim të supozuar nëse ndodh”.
Përveç kësaj, liderët thanë se “u bëjnë thirrje të gjitha vendeve që të refuzojnë këto referendume të rreme, që janë përpjekje e Rusisë për t’i mbuluar shkeljet e Ligjit ndërkombëtar”.
“Ne jemi të gatshëm të imponojmë sanksione të mëtejshme ekonomike për Rusinë dhe për individët dhe subjektet brenda dhe jashtë Rusisë që ofrojnë mbështetje politike ose ekonomike për përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të ndryshuar statusin e territorit ukrainas”, thuhet në deklaratë.
Këto referendume kanë nisur më 23 shtator dhe do të vazhdojnë deri më 27 shtator. Ato po mbahen në katër rajone: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja – të gjitha në juglindje të Ukrainës.
Ky veprim konsiderohet i paligjshëm sipas ligji ndërkombëtar dhe i njëjti është dënuar nga Ukraina, Perëndimi dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia./REL