Frikë nga thirrja e detyruar në ushtri, mijëra rusë largohen për të shpëtuar: Gabim shumë i madh!

Mijëra rusë po përpiqen të largohen nga vendi për t’i shpëtuar thirrjes së detyruar për t’u mobilizuar në ushtri.

Në kufijtë në lindje, jug dhe perëndim të Rusisë, mijëra rusë po përpiqen t’i shpëtojnë mobilizimit në ushtri. Në vendkalimin Zemo Larsi në kufirin me Gjeorgjinë, radha e makinave të enjten ishte kilometrike. Skena të ngjashme kishte edhe në kufijtë e Kazakistanit dhe Mongolisë.

Trafiku është më shumë se dyfishuar në kufirin e Rusisë me Finlandën. Mes të larguarve ishte edhe 34-vjeçari Nikita, i cili nuk donte të jepte emrin e tij të plotë.

“Po, kam frikë. Sepse është një gabim shumë i madh, për Rusinë, për Evropën dhe, natyrisht, për qytetarët e Ukrainës”.

Gjermania tha se, sipas rasteve, do të ofronte strehim për rusët që largohen nga thirrja e detyruar në ushtri. Por disa vende të tjera evropiane, përfshirë fqinjët e Rusisë, po e kufizojnë hyrjen për qytetarët e saj.

Ka njoftime se fluturimet drejt vendeve që nuk kërkojnë vizë, përfshirë Turqinë, Serbinë dhe Dubain, janë prenotuar plotësisht. Shtetasi rus, Alex, shkoi në Stamboll për t’i shpëtuar mobilizimit në ushtri.

“Nuk e besoja se hapi tjetër do të ishte mobilizimi në ushtri. Mendoj se nuk janë të shumtë rusët që duan të luftojnë dhe duan të mobilizohen në ushtri”.

Pasi pësoi humbje të konsiderueshme në Ukrainë, Moska thotë se ka filluar një mobilizim të pjesshëm prej rreth 300,000 rezervistësh. Por janë përhapur zëra se edhe popullsia civile ka marrë thirrje të detyrueshme në ushtri.

Zëri i Amerikës bisedoi përmes rrjetit Skype me analistin rus Alex Titov me Universitetin Queen’s të Belfastit.

“Tani, ata duhet të përdorin atë që u përpoqën ta shmangin, mobilizimin e detyrueshëm të popullsisë civile. Nuk dihet sa fletëthirrje do të dërgohen, dhe për sa kohë. Nuk shihet një fund i qartë”.

Rusia e mohoi se qytetarët e saj po largohen si rezultat i thirrjes së detyruar në ushtri, diçka që mund të sjellë probleme për Putinin, thotë analisti Titov.

“Nëse eksodi është i madh, ata mund të vendosin kufizime zyrtare për burrat që udhëtojnë jashtë vendit, kryesisht për një moshe të caktuar. Ekziston një prirje e përgjithshme për rritjen e zhgënjimit nga lufta. Por nuk jam i sigurt nëse do të arrijë një pikë kritike”.

Shumë prej të rekrutuarve janë sjellë nga rajone të largëta, si qyteti Yakutsk i Siberisë.

“Nuk e prisja. Po e çoja vajzën në shkollë dhe ata më dhanë fletëthirrjen në rrugë. U paraqita menjëherë dhe po ruaj qetësinë. Shpresoj që të mos më dërgojnë për një kohë të gjatë”, thotë rekruti Pavel Sokolov.

Protestat kundër mobilizimit kanë shpërthyer në qytete anembanë Rusisë. Një protestues tha me zë të lartë se nuk pranon të vdesë për Putinin. Mbi një mijë protestues janë arrestuar. Udhëheqësi i burgosur i opozitës, Alexei Navalny, ka bërë thirrje për protesta masive kundër luftës./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *