Shqipëria është mundur nga Izraeli me shifrat 2-1 mbrëmjen e sotme. Trajneri Reja ndryshoi disa herë skemën dhe kjo solli një lloj konfuzioni te lojtarët. Megjithatë rastet nuk do të mungonin për Shqipërinë ku Broja në minutat 6′ dhe 44′ mund të kishte ndryshuar fatet e takimit.
Në pjesën e dytë, pikërisht kur po kronometrohej minuta e 46′, Izraeli do të kalonte në avantazh me Weismann, duke përfituar nga një gabim i pafalshëm i Hysaj-t. Në minutat e mbetura, Shqipëria u mundua disa herë të reagonte, por rastet ishin me pikatore.Reja hodhi në fushë Uzunin e Ramadanin duke shfaqur një futboll më ofensiv.
Në minutën e 88′ do të ishte sulmuesi beratas që do të rihapte një farë shprese për kuqezinjtë, por vetëm kaq. Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, një gafë e mbrojtësit Mihaj në minutën e 93′ solli edhe golin e fitores së Izraelit, shënuar nga Baribo.
Me këtë humbje, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë në Grupin 2 në Ligën B me vetëm 1 pikë, dhe ndeshja e fundit ndaj Islandës në ‘Air Albania’, thjesht do të vlejë për statistikë.