Donald Trump, ish-Presidenti kontrovers amerikan, duket se është sërish në telashe.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Nju York tha se po heton Organizatën Trump “në cilësi kriminale”. Zëdhënësja e prokurorit, Letitia James, tha se hetimet në kompaninë e Donald Trump, “nuk janë më thjesht civile”.
Trump e mohon diçka të tillë dhe thotë se hetimi i ndjekur nga një prokuror demokrat është hakmarrje politike.
James ka shqyrtuar marrëdhëniet financiare të Trumpit edhe para se ai të merrte detyrën e Presidentit, në janar të vitit 2017. “E kemi informuar Organizatën Trump se hetimet nuk janë më thjesht të natyrës civile”, tha për BBC-në zëdhënësi i James, Fabien Levy, duke mos dhënë detaje të tjera. Ai nuk tregoi se çfarë i ka shndërruar hetimet nga civile në kriminale dhe nëse vetë Trump është personalisht i përfshirë në ndonjë akuzë.
Rastet civile zakonisht kanë të bëjnë me dëmtimet e individëve dhe palëve private, përfshirë bizneset. Ligji penal zbatohet në rastet kur dëmi mendohet se prek shoqërinë në përgjithësi, përfshirë shtetin.
James i ka nisur hetimet civile në mars të vitit 2019, me pretendimet se Trump ka fryrë vlerën e aseteve të tij në banka kur ka kërkuar kredi dhe i ka nënvlerësuar ato për të ulur taksat e tij. Gjatë gjithë presidencës së tij, Z. Trump me vendosmëri refuzoi të zbulonte deklaratat e tij tatimore, pavarësisht se atij u bë një presion i madh për ta bërë këtë.
[Marrë nga “BBC”/ përshtatur në shqip nga “Priza.al”]