Një 20 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës pasi ka ushtruar dhunë në familje.
Burime për median bëjnë me dije se B. H., banues në fshatin Risli, është arrestuar pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve të tij si dhe ka dëmtuar automjetin e babait të tij.
Gjatë momentit të shoqërimit i riu ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Njoftimi i policisë:
Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., 20 vjeç, banues në fshatin Risli, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve të tij dhe ka dëmtuar automjetin e babait të tij, si dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë momentit të shoqërimit.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit S. O., 68 vjeç dhe N. O., 41 vjeçe, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi M. A., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.