Tre persona janë arrestuar dhe 1 tjetër është proceduar penalisht nga policia e Kukësit, pasi u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt fitimit.
Burime për median bëjnë me dije se policia ka sekuestruar 4 automjete, 3370 euro, 150 paund dhe 4 aparate celulare, të përfituara ng veprimtaria kriminale.
Ndërkohë në pranga kanë rënë E. C., 48 vjeç, E. Rr., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë, ndërsa B. S., 62 vjeç, banues në Durrës. Si dhe është proceduar penalisht A. T., 65 vjeç, banues në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe të DVP Kukës, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Goditen 4 raste të kësaj veprimtarie kriminale, gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Recently”.
U kapën duke transportuar me automjete, emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihen në pranga 3 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër.
Sekuestrohen 4 automjete, 3370 euro, 150 paund dhe 4 aparate celulare.
Shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit të masave për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kanë organizuar kontrolle të përbashkëta në terren, për evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta, gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Recently”, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, për të cilat janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
-E. C., 48 vjeç dhe E. Rr., 25 vjeç, banues në Tiranë; B. S., 62 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. T., 65 vjeç, banues në Tiranë.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vende të ndryshme, përgjatë aksit rrugor Tuneli i Kalimashit – Morinë, duke transportuar secili me automjetin e tij, emigrantë të paligjshëm (në total 26), të cilët do t’i ndihmonin që të kalonin në mënyrë të paligjshme, kufirin me Kosovën, kundrejt fitimit 100-200 për person.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët e paligjshëm, 3370 euro dhe 150 paund, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 4 aparate celulare.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.