“Nuk duken bukur, por funksionojnë”, Kim dhe Balluku vizitë në TEC-et në Vlorë, ministrja: Do të prodhojnë 15% të energjisë vendase

Ambasadorja amerikane Yuri Kim së bashku me zv.kryeministren Belinda Balluku ishin në Vlorë ku janë instaluar dy termocentralet lundruese për prodhimin e energjisë.

Ministrja Balluku tha se do të prodhojnë 15% të energjisë vendase, duke shtuar se do të kursejmë më shumë se gjysmën e parave. Më tej ajo ka zbuluar se ishin në garë me Gjermaninë se kush do t’i marrë dhe kompania vendosi t’i sjellë në Shqipëri. Balluku tha se e gjithë Evropa po mundohet të instalojë njesi të tilla.

“Ne këtu do të prodhojmë 15% të nevojës vendase. Nga ana tjetër do të kursejmë më shumë se gjysmën e atyre parave, gati 60% me çka do të importonim këtë 15% energjie që na mungon.

Janë në një kontratë 2-vjeçare. Pas dy vitesh kemi të drejtën të diskutojmë me kompaninë për blerjen përfundimtare me një çmim simbolik dhe të vendosen njëherë e përgjithmonë si asete. Ne mund t’i përdorim për prodhim, pasi janë njësi që ne i kontrollojmë. Por mund të jepen nga Shqipëria me qira vendeve të tjera.

Kemi qenë në garë me Gjermaninë, nëse do të vinin këtu apo do të shkonin në Berlin. Unë pyesja çdo ditë kur do vinë. Ishte problemi i detit sepse janë njësi të rënda dhe kërkojnë kushte të mira lundruese. E gjitha Evropa po mundohet të instalojë njësi të tilla”, tha Balluku.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka theksuar rëndësinë e termicentraleve lundruese, në një kohë kur bota është duke u përballur me krizën e energjisë elektrike.

“Jemi me fat se që nga viti 2020 kemi filluar të flasim për energjinë. Jam me ministren, nuk duken të bukura, por rëndësi ka që funksionojnë. Nëse kjo funksionon si duhet të prodhojnë të paktën 114 megavat. Kjo mund të përmbushë 12-15 % nevojat për energji në vend. Në terma mesatarë do të thotë 150-200 mijë shtëpi”, tha Kim.

Pritet që dy njësitë të fillojnë prodhimin e energjisë në fund të vitit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *