U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohen 2 persona në Gjirokastër

Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastër, pasi janë kapur duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit. U mësua se të ndaluarit kanë braktisur makinën, sapo kanë pikasur policinë.

Gjithashtu Policia thekson se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 automjetet, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.

Njoftimi i Policisë:

DVP Gjirokastër/Goditen brenda disa orësh, 2 raste të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Finalizohen 2 operacione policore, të koduara “Road Guard 39” dhe “Road Guard 40”.

Transportonin emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër.

Sekuestrohen 3 automjete, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, Komisariatin e Policisë Tepelenë dhe DVKM Gjirokastër, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore disamujore, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë finalizuar me sukses operacionet policore të koduara “Road Guard 39” dhe “Road Guard 40”, si rezultat i të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve G. H., 45 vjeç dhe L. J., 49 vjeç, banues në Krujë, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. R., 42 vjeç banues në Sarandë.

Arrestimi i shtetasve G. H. dhe L. J. u bë pasi janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Shkalla e zezë”, duke transportuar me automjetet përkatëse tip “Ford”, 6 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Shpallja në kërkim e shtetasit E. R., 42 vjeç, banues në Sarandë, u bë pasi sapo ka vënë re shërbimet e Policisë që ishin në ndjekje të tij, është larguar me shpejtësi dhe në hyrje të qytetit të Tepelenës ka braktisur automjetin me të cilin po transportonte 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjetet, 3 aparate celulare dhe një shumë parash.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit E. R., si dhe për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *