Një 42-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Kukësit pasi është kapur me lëndë narkotike.
Burime për mediat bëjnë me dije se 42-vjeçari Abdullah Ahmeti alias Abdullah Jashari nga Kosova është kapur në Morinë me 5.1 kg heroinë në makinën e tij.
Njoftimi i policisë:
Morinë, Kukës/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Risku”.
Falë informacioneve të marra në rrugë operative nga Policia Kufitare Morinë, goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen në hyrje, në PKK Morinë, rreth 5.1 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë.
Vihet në pranga 42-vjeçari që transportonte lëndën narkotike.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet pikave të kalimit kufitar, shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas nga Presheva po transportonte një sasi lënde narkotike në drejtim të Shqipërisë, organizuan dhe finalizuan, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës, operacionin policor të koduar “Risku”.
Në kuadër të operacionit, në PKK Morinë, në hyrje të RSH-së, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Golf 6”, me drejtues shtetasin A. A., për të cilin disponohej informacion në rrugë operative nga Policia Kufitare.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një çantë iu gjetën 5 kilogramë e 107 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. A. alias A. J., 42 vjeç, banues në Preshevë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.