Tifozët tanë nuk e dëgjuan apelin e kapitenit Stefan Ristovski, se tani është radha jonë që t’i presim në mënyrë evropiane mysafirët bullgarë. Himni i fishkëlluar dhe gjuha e urrejtjes, nga tribunat shkaktuan reagime të ashpra në Bullgarinë fqinje. Vetëm pesë ditë para zgjedhjeve parlamentare, politikanët bullgarë dënuan sjelljen e tifozëve maqedonas në Facebook.
“Si bullgar dhe tifoz futbolli, dënoj kategorikisht përdhosjen e himnit kombëtar bullgar në fillim të ndeshjes Bullgari – RMV. Fatkeqësisht, me veprime të tilla fqinjët tanë nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk tregojnë se i kuptojnë vlerat evropiane”, deklaroi Bojko Borisov – kryetar i GERB.
“Vendimi i BSP-së për të mos mbështetur pranimin e RMV-së në BE ishte i drejtë. Fyerja e himnit bullgar dhe thirrja “bullgaro-tatarë” tregon vetëm një gjë – këta njerëz nuk janë pjekur për të qenë evropianë”.
“Këto janë thirrjet e mirënjohjes me të cilat maqedonasit mirënjohës falënderojnë “Vazhdojmë me ndryshimin”, GERB-in, DPS-në, “Bullgarinë Demokratike” dhe BSP-në neutrale, që i lanë të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE”, tha Slavi Trifonov – kryetar i “Ka një popull të tillë”.
Dënim publik për gjuhën e urrejtjes erdhi edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme. Nga aty thonë se ngjarjet sportive përfaqësojnë shprehjen më të lartë të parimeve të trajtimit të drejtë, dhe respektit të ndërsjellë.
“Keqpërdorimi i këtyre ngjarjeve për të përhapur urrejtje dhe intolerancë është e kundërta e idesë së tyre themelore. Edhe në të ardhmen, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë aktive për të përmirësuar marrëdhëniet e ndërsjella, si vende aleate në NATO, partnerë të ardhshëm në Bashkimin Evropian dhe, mbi të gjitha, fqinjë të mirë”, thonë nga Ministria për Punë të Jashtme.
Ka reaguar edhe MPJ bullgare. Nga Sofja thonë se e vërejnë reagimin e kolegëve të tyre nga Shkupi, por kanë kërkuar, siç thonë, hapa të pa kthim nga autoritetet zyrtare për të zhdukur agresionin antibullgar në opinion.