8 vite burg dhe gjobë me vlerë marramendëse për Shakirën, çfarë ka bërë këngëtarja?

Një gjykatës spanjoll ka urdhëruar yllin e popit Shakira, që të dalë para gjyqit për çështjen e mashtrimit tatimor, konkretisht për mospagesën e taksave prej 13.9 milion dollarësh mbi të ardhurat që ajo ka fituar në vitet 2012 dhe 2014. Prokurorët do të kërkojnë një dënim me tetë vite burg dhe një gjobë nëse arrijnë të fitojnë gjyqin kundër këngëtares së “Hips Don’t Lie”, e cila ka mohuar çdo akuzë.

Këngëtarja 45-vjeçare ka këmbëngulur se ajo ka jetuar vetëm më pak se gjysmën e kohës në Spanjë gjatë periudhës dyvjeçare. Ajo ka refuzuar një marrëveshje për pranimin e fajësisë. Këshilltarja e saj ka thënë se Shakira ka paguar gjithçka që i detyrohej dhe 3 milion euro shtesë ose 2.8 milion dollarë. Gjykata me seli në qytetin Esplugues de Llobregat pranë Barcelonës tha se Shakira do të përballet me gjashtë akuza për mashtrim tatimor.

Data e gjyqit ende nuk është caktuar. Çështja varet nga vendi ku Shakira ka jetuar gjatë viteve 2012-2014. Prokurorët në Barcelonë kanë pretenduar se fituesja e ‘Grammy’-t kaloi më shumë se gjysmën e asaj periudhe në Spanjë dhe duhet të kishte paguar taksat vendore, edhe pse rezidenca e saj zyrtare ishte në Bahamas.

Shakira, emri i plotë i së cilës është Shakira Isabel Mebarak Ripoll, ka qenë e lidhur me Spanjën që kur filloi të takohej me futbollistin Gerard Piqué. Pique, i cili luan për Barcelonën në ‘La Liga’, aktualisht është në lidhje me një studente 23-vjeçare, Clara Chia Marti.

Çifti të cilët kanë dy fëmijë, jetonin së bashku në Barcelonë, por së fundmi i dhanë fund lidhjes së tyre 11-vjeçare. Spanja ka ‘goditur’ edhe yjet të tjerë si Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo gjatë dekadës së fundit për mospagimin e plotë të taksave. Ata u shpallën fajtorë për evazion, por të dy shmangën burgun falë një dispozite që lejon një gjykatës të heqë dënimet nën dy vjet për shkelësit për herë të parë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *