Një person është shpallur në kërkim nga policia pasi ka plagosur me armë zjarri një person.
Burime për median bëjnë me dije se, Dorian Shurdhi 29 vjeç ka plagosur para 5 muajsh shtetasin Kujtim Meta. Ndërkohë autori është lënë në masën arrest me burg në mungesë, ndërkohë që policia po punon për kapjen e tij.
Si ndodhi ngjarja më 20 prill
44-vjeçari Kujtim Meta ra pre e një atentati në Lushnje, teksa po pinte kafe në një lokal dhe u qëllua me 2 plumba në bark. Meta ka qenë i vetëm në tavolinë, kur një person ka zbritur nga makina pak metra larg lokalit, ka ecur në këmbë dhe është futur brenda në lokal duke qëlluar në drejtim të tij. Në vendin e ngjarjes ka qenë vetëm pronari i lokalit, i cili tregoi atentatori mbante të veshur një maskë të zezë në kokë dhe u ndihmua nga një person tjetër për t’u larguar me makinë nga vendi i ngjarjes.
Njoftimi i policisë
Lushnjë/ Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore, ngjarja e ndodhur më datë 20.04.2022, në Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.
Pas një pune të mirëfilltë hetimore, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç.
Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim.
Për 29-vjeçarin, pas identifikimit nga ana e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Vijon puna për kapjen e shtetasit D. Sh. dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.