Kryeministri Edi Rama është shprehur më se i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarëve.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se asgjë nuk e ndal këtë qeveri për të legalizuar paratë e shqiptarëve dhe nuk duhet t’ua bëjmë jetën ferr. Më tej Rama ka thumbuar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është shpallur non Grata nga SHBA-të, duke theksuar se atë që i kanë bërë Shqipërisë disa politikanë të korruptuar shqiptarë nuk ia ka bërë as armiku.
“Ne nuk jemi tërhequr por po vazhdojmë të diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar të gjitha keqkuptimet, moskuptimet, apo edhe për të ekspozuar mos dëshirën për të kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet sepse e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Ne kemi një parti të tërë politike që ka pretenduar të vijë në qeveri dhe është financuar nga një vend armik dhe agresor i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Nëse në atë parti kemi ‘de facto’ në krye një person të shpallur ‘non grata’ për të gjitha të zezat nga Shtetet e bashkuara, kush jemi ne të paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% të atyre që merren me krim e droge. Ne nuk jemi askushi t’i penalizojmë shqiptarët që të legalizojnë të ardhurat e tyre, dhe t’ua bëjmë jetën ferr. Dhe kush janë ata që na thonë që jo kjo nuk mund të bëhet se Shqipëria është me kriminelë. Ne këtë ia kemi bërë vetë vetes”, tha Rama.