Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar depozitimin në Kuvend të një projektligji që parashikon legalizimin pa pagesë të ndërtimeve pa leje të kryera nga qytetarët deri më tani.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat, Meta tha që Partia e Lirisë do t’i japë fund kësaj loje në mënyrë që qytetarët të shpëtojnë një herë e mirë nga makthi i presionit dhe i shantazhit nga patronazhistët e Rilindjes.
“Ndërtimet pa leje që paskan çuditur kryeministrin aktual. Ai e ka syrin pishë dhe për të parë kotecin e të moshuarës në Nartë e për t’i treguar burgun një 82-vjeçare. Për të parë dhe avllitë e banorëve, dritaret që rregullohen pa leje, por nuk i punojnë sytë në gradacielat ku vete pi kafe çdo ditë apo merr pjesë nëpër ëork shop për të prezantuar arritjet e qeverisë. Ato nuk i shikon dot.
Prandaj PL është e vendosur t’i japë fund kësaj loje që bëhet me qytetarët sa i takon marrjes peng të tyre përmes lejimit të ndërtimeve pa leje dhe pastaj pengmarrjes për arsye elektorale, korruptive, që u bëhet sipërmarrësve të ndryshëm. Pas 10 vitesh nuk mund t’i ankohet askujt për gjithçka ka ndodhur pa leje se është lojë që nuk funksionon.
Do depozitojmë një ligj për legalizimet që të gjitha ndërtimet e kryera pa leje deri më sot sa i takon qytetarëve të legalizohen e të bëhen pa pagesë përveç atyre që janë ndërtuar mbi vepra të infrastrukturës publike, pra ujësjellësa apo kanalizime apo vepra të tjera, në mënyrë që qytetarët të shpëtojnë një herë e mirë nga makthi i presionit dhe i shantazhit, nga shteti i tyre dhe nga patronazhistët e Rilindjes për këtë problem, që e ata kanë e për të cilën përgjegjësinë e ka vetë shteti.
Ndërkohë që duhet të jetë e qartë se kush ndërton pa leje pas kësaj date nuk do ketë me legalizim por këto objekte do shemben pa asnje dilemë dhe pa asnjë kompensim”, tha Meta.